Pas Lakers, një tjetër skuadër pretendente e NBA e ka nisur keq sezonin e ri. Vetëm një fitore në pesë ndeshje të luajtura për skuadrën e Brooklyn Nets, që ndodhet në vendin e parafundit në Konferencën e Lindjes. Nets zhgënjyen sërish, duke u mundur edhe nga Dallas, 129-125.
Gjithçka u vendos pas kohës shtesë, kur për Dallas u dallua i zakonshmi Luka Doncic, autor i një “triple double”, me 41 pikë, 11 rebound e 14 asist. Ndërkohë që vendimtar ishte edhe stoli, nga ku erdhën 54 pikë. Për Brooklyn, Irving realizoi 39 pikë e Durant 37, por që nuk mjaftuan.
Në Perëndim, humbet skuadra e Los Angeles Clippers, që u mund 118-110 nga Oklahoma City Thunder. Shai me 24 pikë e Dort me 21 bënë diferencën për vendasit, duke i bërë të pavlefshme 21 pikët e Powell për kalifornianët.
Rikthehet te fitorja skuadra kampione e Golden State, që në fushën e vet mposhti 123-110 rivalët e Miami Heta. Butler me 27 pikë e Adebayo me 26 u përpoqën t’i japin fitoren skuadrës nga Florida, por të vetëm nuk mundën. 6 lojtarë të Golden State realizuan mbi 10 pikë, ku vendimtar ishte Curry me 33 pikë.