Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është shprehur se shqiptarët shpëtimin e presin nga Partia Demokratike, ndaj sipas tij kryetarët e degëve duhet të dalin në takime me qytetarët e t’i tregojnë me fakte aferat e Edi Ramës.
Komentet Berisha i bëri gjatë një takimi që po zhvillon në selinë e PD-së me kryetarët e degëve të Tiranës.
Berisha tha se shteti që ka ndërtuar Rama është një shtet kashte e droge dhe sipas tij opozita do e përmbysë regjimin e tij.
Ai shtoi se Rama luan bixhoz me energjinë e shqiptarëve, pasi ka blerë dy herë energji me çmim dyfish më të lartë për të vjedhur.
“Tirana me të madh e të vogël duhet të dalë në shesh më 12 nëntor. Shqiptarët shpëtimin e presin nga ne. Le të thotë ai ç’të dojë. E ka mbushur kupër e duhet të qërohet. Nuk ka kryeministër në botë që qëndron në pushtet kur i dalin skandale si ai i djegësave. Nuk duhet të kemi asnjë iluzion se paratë e inceneratorëve i merr Rama. Duhet të bëjmë gjithçka për një start të fuqishëm për protestat që janë në kohën më të duhur, më të përshtatshme e që duhet të çojnë drejt fitores. Ky monizëm është regjimi më i urryer që kanë njohur shqiptarët pas regjimit të Enver Hoxhës. Ne do e përmbysim këtë regjim. Ky është shtet kashte. Është shtet droge, krimi. Shikoni si u shpërbë nga korrupsioni. Hakera ka kudo, sulmuan edhe Kosovën por nuk i futën dot gjemb në këmbë. 2500 policë kërkojnë të largohën nga shkolla e policisë. Është bërë shkollë e preferuar se marrin certifikatën e ja mbathin. Mbi gjysma e personelit ushtarak kanë kërkuar të ikin se nuk mbajnë dot familjet. Ndaj dhe koha i thërret sot demokratët më shumë se kurrë. Të ngrihen e të nisin në 12 betejën e madhe kundër këtij regjimi. Duhet detyrimisht të organizoni takime në çdo bllok, në çdo rrugicë e rrugë, të bisedoni me shqiptarët e të sqaroni çdo njeri që takoni se Shqipëria ka konsumuar fiks 100% të energjisë së prodhuar. Ky luan bixhoz me energjinë e shqiptarëve. Ka blerë energji 2 herë me çmim dyfish më të lartë se në bursën e Eufexit në Hungari. E bën për të vjedhur. Mendon se taksat e qytetarëve janë të tijat. Bleu energji 40 milionë, po ta blinte në bursën e Budapestit e merrte me 20 milion. Me pedagogët sillet si njeri i zhveshur nga çdo lloj morali, si një njeri që i urren shqiptarët. Është një vasal i Aleksandër Vuçiçit”, u shpreh Berisha.