MENU
klinika

4 gratë u mbajtën si skllave për 16 vite

Tronditëse/ Babai bleu për djemtë e tij nuset kur ishin të mitura

02.11.2022 - 18:03

Në mes të Zvicrës, katër gra janë mbajtur si skllave për 16 vite nga një shtetas kosovar dhe katër djemtë e tij.

Babai i kishte blerë ato në moshë të mitur nga 14 deri në 17 vjeç, nga Ballkani si “gra” për secilin nga katër djemtë e tij.

Mësohet se për një dekadë e gjysmë, babai dhe katër djemtë e tij kanë abuzuar me gratë dhe i detyruan të bënin punët e shtëpisë.

Javën e ardhshme, 5 të akuzuarit do të dalin para gjykatës rajonale të Moutier BE.

E para u soll në Zvicër nga Shqipëria në vitin 2003. Në atë kohë 17-vjeçe, ajo e kishte njohur burrin e saj vetëm nga fotot dhe martesa e detyruar ishte rregulluar përmes vjehrrit të saj.

Prindërve të së resë iu premtuan se vajza e tyre do të kishte një jetë më të mirë në Zvicër.

Një vajzë tjetër ishte vetëm 14 vjeç, jetonte në varfëri dhe sipas hetuesve, prindërit e saj ia shitën torturuesve për një shumë prej 300 eurosh.

Ato u izoluan dhe u kërcënuan me vdekje

Premtimi gjoja për një jetë më të mirë ishte një kurth. Sipas aktakuzës, babai Albrim F.*, 65-vjeç i udhëzoi djemtë e tij saktësisht se si të silleshin me “gratë” e tyre duke ushtruar dhunë brutale fizike dhe psikologjike.

Gratë janë rrahur, poshtëruar, kërcënuar me vdekje, izoluar dhe dhunuar vazhdimisht nga anëtarët e familjes.

“Më shumë se 20 herë e ka goditur me rrip”, thuhet në aktakuzën e njërit prej të pandehurve. “Edhe pse ishte shtatzënë, ai e ka rrahur nusen deri sa i ka dalë gjak dhe i ka shtrënguar fytin me të dyja duart”.

Njëra prej viktimave duhej t’i lante këmbët vjehrrit dhe kunetërve çdo mbrëmje.

Gratë rrallë lejoheshin të dilnin vetëm nga banesa dhe nuk kishin pothuajse asnjë kontakt me familjet e tyre në shtëpi.

Dhe duhej të bënin punët e shtëpisë nga mëngjesi në mbrëmje. Pas 16 vitesh në Zvicër, njëra nga gratë nuk mund të fliste gjuhën kombëtare, ajo kishte shkuar atje ilegalisht.

Më në fund viktimat e dhunës janë në një vend të sigurt

Avokati Dominic Nellen përfaqëson dy nga gratë në gjykatë tha: “Janë janë të mbrojtura mirë dhe në një vend të sigurt”.

Avokati nuk mund të thotë asgjë për rreth dhjetë fëmijët që kanë lindur në familje.

“Kanë ardhur kur ishin të mitura, disa duke kaluar kufirin e gjelbër. Ata duhej të ecnin nëpër pyll gjithë natën. Dhe më pas u përdhunuan nga burrat e tyre menjëherë pas mbërritjes së tyre. Kjo i shkatërroi këto gra”.

“Pas sjelljes çnjerëzore qëndron e drejta zakonore mesjetare shqiptare e kanunit. Të gjitha fijet u bashkuan me kreun e familjes Albahrim F. Është një klan i madh familjar me sundimtar patriarkal vjehrrin. Ai jepte urdhrat”.

Kur autoritetet Bernese morën informacione mbi familjen, situata ndryshoi.

“Shërbimi social filloi të vendosë kushte. Për shembull, që gratë duhet të ndiqnin kurse gjuhësore dhe të kërkonin punë.”

Ishte hapi i parë drejt lirisë: “Ata e kuptuan se një abuzim i tillë nuk është normal”. Dhe: “Para se autoritetet të vendosnin kushte, të gjithë jetonin nën një çati”.

Të pandehurit mohojnë akuzat

Në vitin 2019, gratë më në fund arritën të arratiseshin, 16 vjet pasi viktima e parë e abuzimit u dërgua në Zvicër.

Sipas aktakuzës, ishte përfshirë edhe një agjenci për mbrojtjen e viktimave.

Asnjë nga të akuzuarit nuk ka kaluar më shumë se një ditë pas hekurave. “Burrat mohojnë të kenë bërë ndonjë gjë të paligjshme. Gratë ishin dakord me gjithçka”, tha avokati.

Të akuzuarit përballen me disa akuza, ndër të tjera, për trafikim njerëzor, martesë të detyruar, lëndim fizik, përdhunim dhe akte seksuale me fëmijë.