Leeds United është urdhëruar të paguajë një faturë prej 18 milionë stërlinash pasi humbi çështjen e gjykuar në Gjykatën së Arbitrazhit Sportiv (CAS) për transferimin e Jean-Kevin Augustin.
Sulmuesi francez iu bashkua Leeds United nga Leipzig në formë huazimi në janar 2020, po luajti në vetëm tri ndeshje përpara se të kthehej në klubin e Bundesligës.
Sidoqoftë, marrëveshja përfshinte detyrimin për ta blerë përgjithmonë për 21 milionë euro (18 milionë stërlina) nëse Leeds do të ngjitej në Premier League, objektiv që u arrit.
Leeds megjithatë pretendoi se periudha e huazimit përfundoi më 30 qershor të atij viti, përpara se të sigurohej promovimi në Premier (sezoni u shty për shkak të pandemisë).
Leipzig nuk ishte dakord me këtë qëndrim të Leeds dhe në një seancë dëgjimore në qershor 2021 FIFA mbështeti pretendimin e skuadrës së Bundesligës dhe urdhëroi klubin anglez të paguante tarifën e transferimit, me një këst të parë prej 6.7 milionë eurosh.
Leeds e apeloi vendimin, por ka humbur çështjen në CAS. Vendimi do të thotë që Leeds duhet të shpenzojë një shumë të majme për një lojtar që nuk e ka pasur kurrë.