Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mircea Geoana, ka thënë të shtunën se misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, mbetet vigjilent dhe i gatshëm për të intervenuar në rast se rrezikohet stabiliteti.
Përmes një postimi në Twitter, ai ka thënë se ka biseduar me të dërguarin special të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak lidhur me situatën, siç ka thënë ai, të tensionuar në veri të Kosovës.
“Beogradi dhe Prishtina duhet të tregojnë përmbajtje dhe të parandalojnë përshkallëzimin”, ka thënë ai.
Ndërkohë, Lajçak ka thënë se pajtohet plotësisht me qëndrimet e zyrtarit të NATO-s dhe është mirënjohës për bashkëpunimin e BE-së me aleancën veri-atlantike dhe KFOR-in.
Deklaratat e tyre vijnë në ditën kur Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës – ka vendosur të largohet nga të gjitha institucionet shtetërore.
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë se dorëheqjet përfshijnë pozitat në Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës, dhe ato të gjyqësorit e Policisë së Kosovës në veri.
Katër komunat me shumicë serbe në veri janë: Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin Potoku.
Lista Serbe ka nisur paralajmërimet për largime të tilla, pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.
KFOR-i ka thënë se është në kontakt të ngushtë me liderët në Prishtinë dhe Beograd, si dhe partnerët ndërkombëtarë për të garantuar sigurinë.
“Ne i bëjmë thirrje secilit të adresojë dhe të diskutojë dallimet përmes dialogut konstruktiv. Arrini përparim. Shprehni mendimet në mënyrë paqësore dhe arrini kompromis”, është thënë mes tjerash në deklaratën e KFOR-it./ REL