MENU
klinika

ANTONIO MUÑOZ MOLINA

Të shkruash pa kompromis

21.08.2018 - 09:36

Të shkruarit nis duke qenë pothuaj gjithnjë një ëndërr, një trill apo një prirje imagjinare. Por ëndrra, dëshira, trilli, nuk arrijnë të ngjizin në qoftë se nuk kthehen në një mjeshtëri. Një mjeshtëri, çfarëdo qoftë, kërkon një prirje të fuqishme dhe një praktikë të gjatë.

Një mjeshtëri është një detyrë, e cila shpesh herë rezulton e lodhshme apo e mërzitshme për nga durimi dhe sforcimi i vazhdueshëm që lyp, veç ka plot momente kur gjërat shkojnë mirë, dhe atëherë vjen shpërblimi i një çlodhjeje, që bëhet më e këndshme ngaqë e ndien të merituar, të paktën deri në një farë mase.

Them deri në një farë mase sepse kur gjithkush që i përkushtohet plotësisht një mjeshtërie, e di se gjithmonë ka një hapësirë të madhe midis mundësive më të mira të një projekti dhe realizimit të tij, ashtu siç ka zbulime që nuk i kishe parashikuar.

Një mjeshtëri është një detyrë praktike: dikush bën diçka që i pëlqen dhe që me shumë mund e këmbëngulje arrin të japë një farë garancie profesionaliteti, veç këtë nuk e bën për vetveten, edhe pse është një detyrë që e kryen vetëm dhe që kur e mbaron ndien thjesht kënaqësi personale.

Rezultati që arrihet prej saj përfton një ekzistencë objektive, pavarësisht se kush e kreu, dhe vjen e ndikon dobishmërisht në jetën e atyre tek të cilët shkon: një instrument muzikal apo një partiturë, një vegël, një tryezë, një histori, një fletore, një pikturë, një enë balte, një fotografi, një zbulim shkencor, një hap vallëzimi, shërimi i një sëmundjeje, një mrekulli sportive, një pjatë gjellë e gatuar mirë, një piramidë e vogël me angjinare në vitrinën e një frutashitësi.

Si në çdo mjeshtëri tjetër edhe në mjeshtërinë e të shkruarit ka disa veçori.

Së pari është se nevoja njerëzore që kënaq është nga më të paprekshmet, edhe pse nga më universalet: nevoja për të ditur histori dhe për t’i treguar, domethënë, t’i japësh botës një formë të kuptueshme përmes fjalëve. Një histori, e trilluar apo jo, vendos një model universal të një fushe të caktuar të përvojës nisur nga vrojtimi i të dhënave të veçanta të jetës. Në të njëjtën mënyrë vepron edhe shkencëtari, duke përpunuar modele teorike të rrjedhur nga vrojtimi dhe eksperimentimi, të cilët në mënyrë të dyfishtë shërbejnë për të shpjeguar dhe parashikuar. Në shoqëritë primitive apo antike miti ishte modeli shpjegues dhe parashikues i sjelljeve njerëzore.

Ndryshueshmëria jonë moderne e mitit është fiksioni, në tërë larminë e vet, nga më të rëndomtat, më të trashat, më komercialet, më jetëshkurtrat, deri tek ato më të thellat, më kërkueset, nga telenovelat dhe videolojrat te Don Kishoti, Moby-Dick apo një tregim i mikeshës time të dashur Alice Munro.

Pra, i përkushtohemi një mjeshtërie më të lashtë dhe më të dobishme nga ç’duket. Po ashtu edhe shumë më të pasigurt. Sepse në të, dhe kjo është veçoria e dytë, përvoja nuk na ofron asnjë garanci, dhe mund të ketë një mospajtim skandaloz midis meritës dhe vlerësimit.

Kush shkruan e di se duhet t’i kushtojë mjeshtërisë së tij aq orë dhe aq vite sa edhe një zejtar së vetës, dhe se pa këtë përkushtim nuk do të arrinte të përmbushte dot asgjë me vlerë. Gjithashtu ai di se përkushtimi, vetvetiu, nuk garanton cilësinë e rezultatit, sepse përvoja dhe përkushtimi mund të të çojnë drejt stërhollimit të ngurtësuar dhe parodisë së vetvetes.

Gjithashtu di se jo gjithmonë më e mira është njohur si e tillë dhe se ajo që duket më e mira, nganjëherë vithiset në shumë pak kohë, dhe se një drejtësi çuditërisht e vonuar ndriçon shumë kohë më pas, pa shpërblimin e mundur ndaj talentit të vërtetë që nuk shkëlqeu dot gjatë jetës.

Shkurajimi përpara pasigurive të mjeshtërisë thellohet edhe më shumë në kohëra pasigurie aq të hidhura si këto. Është e vështirë të flasësh për përpjekje dhe kënaqësi të punës në një vend ku disa miliona njerëz vuajnë ankthin e papunësisë.

Është gati mendjelehtësi të merresh me mospajtimin e meritës dhe suksesit në letërsi, në një botë ku ata që punojnë shpërblehen me ca rroga mjerane, ndërsa më të kamurit, në mënyrë të turpshme, shtojnë fitimet e tyre; në një vend të rrënuar nga një krizë, përgjegjësit e së cilës mbeten të pandëshkuar, ndërkohë që viktimat e tyre vuajnë nga padrejtësia, ku ndershmëria dhe detyra e kryer mirë të shumtën e herëve vlerësohen më pak nga mashtrimi dhe klientelizmi; një vend ku format më bashkëkohore të demagogjisë kanë bleruar përçmimin e vjetër ndaj punës intelektuale dhe ndaj dijes.

Dhe kështu, duke lënë mënjanë përgjegjësitë e qytetarisë, i vetmi ilaç i pranueshëm që njoh kundër dëshpërimit të mjeshtërisë është vetë mjeshtëria. Të shkruash duke vendosur mjeshtërisht në çdo fjalë të pesë shqisat. Të shkruash pa i lejuar vetes as më të voglin kompromis.

Të shkruash duke pranuar e duke u kënaqur me vetminë dhe duke qenë mirënjohës ndaj mbështetjes së mjeshtërive të tjera themelore që e bëjnë një nga mjeshtëritë më pak të vetmuara dhe më kolektive të botës, siç është e vetmuar dhe kolektive ajo e muzikës dhe ajo e shkencëtarit; duke falënderuar profesionin e botuesit, korrektorit letrar, përkthyesit, librashitësit, kritikut, mjeshtërinë e shkrimtarëve të tjerë prej të cilëve mëson duke i admiruar, atë që të mëson të lexosh dhe atë që përçon në një auditor dashurinë për letërsinë; duke falënderuar profesionin më të këndshëm nga të gjithë, që është ai i lexuesit.

Të shkruash me frikën se nuk ke lexues dhe me frikën se do t’i humbasësh ata, duke mposhtur njësoj si lëvdatat edhe fshikullimet. Të shkruash sepse, pavarësisht gjithë kundërshtive dhe pamundësive, të shkruarit, si çdo mjeshtëri tjetër, është mbi të gjitha një akt afirmimi. Të shkruash sepse duhet shkruar.

Më 1981 u dha për herë të parë ky çmim dhe madhëria juaj drejtoi asokohe aktin e parë publik, edhe pse atëherë jetohej nën traumën e zymtë e të freskët të një tentative për grusht shteti. Në fjalën e tij të falënderimit poeti Hose Hierro aludoi plot gëzim e lehtësim, por gjithashtu edhe plot vetëdije ndaj rrezikut, për “ajrin e lirisë që thithim”. Atë ajër, edhe nëpër halle, vazhdojmë ta thithnim 32 vjet më vonë, që përbëjnë periudhën më të gjatë të lirisë së njohur në tërë historinë e vendit tonë.

Është e rëndësishme t’i kujtojmë këto tani, kur e ardhmja, në mjaft gjëra, duket e paqartë si atëherë. Sot është rritur një brez i tërë që lindi atëherë, brezi i bijve tanë. Jeta e tyre është edhe më e vështirë nga çfarë imagjinonim para pak vitesh, por është e rëndësishme të kujtojmë gjithashtu se ato kohë, të vitit 1981, që jetuam ne, na dukeshin kanosëse.

E megjithatë nuk pushuam së thithuri ajrin e lirisë që gëzonte Hose Hierro. Pa atë frymëmarrje nuk do të kishte qenë e mundur brezi letrar të cilit unë i përkas. Veç u mësuam aq shumë me këtë liri sa ka rrezik që të mos dimë ta vlerësojmë. Është përgjegjësia jonë të ruajmë atë çka fituam falë shumë njerëzve që i bënë dhe i bëjnë mirë profesionet e tyre, private dhe publike; po ashtu të reflektojmë urgjentisht ndaj gjithë gabimeve, plogështive dhe shkujdesjeve që duhen korrigjuar. Në këtë detyrë mjeshtërit e fjalëve duhet të jenë më të dobishëm se kurrë.

Përktheu nga spanjishtja Bajram Karabolli

Fjala e mbajtur në marrjen e çmimit Princi i Asturias 2013 në letërsi. Antonio Muñoz Molina (1956) – shkrimtar spanjoll, anëtar i Akademisë Mbretërore të Spanjës, i cili më 2013 mori Çmimin Princi i Asturias në Letërsi. Ka mbaruar studimet për Historinë e Arteve në Universitetin e Granadës, po ashtu studimet për gazetari në Universitetin e Madreidit. Libri i tij i parë, Robinsoni i edukuar (1984), është një përmbledhje artikujsh.

Ka botuar deri tani 13 romane, tre vëllime me tregime, dhjetë libra me ese, gjashtë libra me artikuj, etj. Është nderuar me 13 çmime të ndryshme dhe tre Honoris Causa nga dy Universitete amerikane e një spanjoll. Është martuar me shkrimtaren Elvira Lindo dhe jeton midis Madridit e Nju Jorkut, ku drejton Institutin Servantes.

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët