Të martën pritet të mbahen zgjedhjet për Kongresin Amerikan, ku pritet të garojë edhe ish-kongresmeni amerikan Max Rose.
Ai garon “kokë më kokë” me greken Nicole Malliotakis për një vend në Kongresin Amerikan, ku beteja bëhet për të fituar distriktin e 11-të New York-ut, i njohur edhe për komunitetin e madh shqiptaro-amerikan që jeton aty.
I dekoruar me medaljet më të larta për trimëri, veterani i luftës në Afganistan, ka përzemër çështjen Çame. Demokrati Max Rose i ka krahët e ngrohta pasi ka mbështetjen e ish-komandantit suprem të NATO-s gjatë luftës në Kosovë gjeneralit Wesley Clark.
Ai ka dhënë një intervistë për News 24, ku ka folur për një sërë çështjesh me rëndësi, përpara garës që e pret.
Zoti Rose, faleminderit që pranuat ftesën për të folur për televizionin News 24. Është një kënaqësi që ju kam në këtë intervistë.
Kënaqësia është e gjitha e imja. Faleminderit.
Zoti Rose, ju po kandidoni për Distriktin e 11-të të Nju Jorkut, i cili më parë është fituar nga republikanët. Një territor mjaft i vështirë për kandidatët demokratë, pasi është një nga zonat e pakta që lëviz. Si po shkon fushata elektorale për ju deri tani?
Shiko, fushata po shkon në mënyrë fenomenale. Ne shohim lëvizje të pabesueshme nga komuniteti në komunitet. Njerëzit me të vërtetë duan të shohin dhe të vendosin vendin në radhë të parë, duan politikë të vërtetë publike, pasi ajo ka të bëjë me sigurinë publike, pas së cilës unë jam prapa. Ata duan të financojnë më shumë zbatimin e ligjit. Ata duan më shumë fonde për trajtimin e shëndetit mendor. Ata duan të ndryshojnë ligjet tona për t’u siguruar që kriminelët të marrin atë që meritojnë. Duan dëshpërimisht më shumë siguri në shkollë dhe duan të na heqin armët nga rrugët tona. Ata e urrejnë faktin që Kongresmenia në detyrë në Staten Island dhe Brooklyn votoi kundër verifikimit universal të gjendjes kriminale dhe kundër ndalimit të armëve të zjarrit. Kjo nuk do të thotë gjë për ta. Dhe ata duan të shohin ndryshim.
Pra, ju po konkurroni kundër kandidates me origjinë greke, Nicole Malliotakis. Kam lexuar se ajo kryeson sondazhet me 6% më shumë. Jeni optimist se sondazhet do të ndryshojnë në favorin tuaj?
Absolutisht. Unë jam shumë optimist. Këta anketues, së pari, nuk dinë se çfarë po bëjnë, nuk dinë se çfarë po flasin. Por për më tepër, anketuesit nuk matin energjinë absolute në terren, mund t’ju them se kjo është është diçka e dukshme që ndihet fare mirë. Unë jam duke folur me qindra njerëz çdo ditë. Njerëzit duan të shohin një ndryshim tek ata që i përfaqësojnë . Kini parasysh çështjen e çmimeve të karburantit. Një nga arsyet më të mëdha pse çmimet tona të gazit po rriten është sepse kompanitë e mëdha të naftës janë vetë ata që po rrisin çmimet. Ata po rrisin çmimin vetëm për të përmirësuar marzhin e tyre të fitimit. Dhe kundërshtarja ime, Nicole Malliotakis, votoi duke i mbështetur ata , votoi për t’u mundësuar atyre që ta bënin këtë dhe më pas ua mori paratë. Njerëzit nuk e pëlqejnë këtë lloj politike. Qytetarët do të votojnë për mua.
Ju jeni shprehur se mbështesni çështjen Çame, një çështje delikate për Kombin shqiptar. Përse u fokusuat tek çështja Çame. Dhe nëse do të fitoni një vend në Kongres, a do ta ngrini këtë çështje edhe në Kongresin Amerikan?
Po, shikoni, unë mendoj se është e rëndësishme që ne të paktën të diskutojmë, t’i njohim dhe të ndjekim çdo çështje që ka të bëjnë me mosmarrëveshjet rajonale apo edhe ato gjeografike. Çështja është se jam shumë i vetëdijshëm për atë që po bëj, sepse duhet ta keni parasysh se distrikti i 11 në New York është shtëpia më e madhe e komunitetit shqiptaro-amerikan krahasuar me çdo distrikt tjetër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne nuk mund ta harrojmë këtë fakt. Është qëllimi im absolut të jem një zë i fortë për këtë komunitet shqiptaro-amerikan. Kjo është një ndër arsyet që Gjenerali Wesley Clark, një komandant i jashtëzakonshëm gjatë luftës në Kosovë, erdhi në distriktin tim, erdhi në Staten Island fundjavën që lamë pas, për të më mbështetur. Duhet të kishit parë me sytë tuaj mbështetjen e jashtëzakonshme që pata gjatë fushatës sime elektorale nga komuniteti shqiptaro-amerikan si pasoje e kësaj. Jemi kaq shumë të ekzaltuar. Jam jashtëzakonisht i kënaqur që po punoj bashkë me komunitetin shqiptar, që jam një nga zërat e tyre më të fuqishëm. Jam kaq i entuziazmuar dhe i ngazëllyer që jam këtu me ty sot.
Organizata “Rrënjet Shqiptare” po organizon darkën e parë për çështjen Çame me përfaqësues të Kongresit Amerikan ku do të jeni edhe ju i pranishëm. Fakti qe e mbështesni çështjen Çame, do të thotë që e keni përzemër. A ndiheni të mbështetur nga komuniteti shqiptar?
Ndjej mbështetje të jashtëzakonshme nga komuniteti shqiptar. Ju e shihni mbështetjen edhe në terren, jo vetëm për shkak të përkushtimit tim të thellë për të qenë zëri i tyre për çështjet globale, por edhe sepse është kaq jetike që ne të luftojmë për shumë nga çështjet që i kanë pranë zemrës dhe shpirtit të tyre këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe qytetin e Nju Jorkut. Kini parasysh çështjen e sigurisë publike. Ata duan një zë të fortë që të parandalojë dhunën që vjen nga armët. Kini parasysh inflacionin dhe sesi po përballen me çmimet të larta . Ata duan që dikush të luftojë që të ulën tarifat në kujdesin shëndetësor, kërkojnë të ulen çmimet e medikamenteve, sepse qeveria është ajo që duhet të negociojë për uljen e këtyre çmimeve. Dhe ata duan të shohin një njeri luftarak për Amerikën dhe Kushtetutën. Ata u tmerruan nga sulmi 6 janari ne Kongresin Amerikan. Ne kemi parë se çfarë problemesh ndodhin në mbarë botën kur demokracia nuk është e fortë dhe nuk duam që kjo të na ndodhë këtu në shtëpinë tonë.
Pra, siç e përmendët, jeni përkrahur nga nga gjenerali Wesley Clark, i cili shërbeu si komandanti suprem ushtarak i NATO-s, gjatë lufte në Kosovë. A e prisnit këtë lloj mbështetjeje prej tij?
Nuk mund ta prisja kurrë që ish-komandanti suprem i Aleancës, gjenerali më i madh në Amerikë dhe ndoshta sot në botë të dalë dhe t’ju mbështesë. Por gjenerali Clark bëri një deklaratë shumë domethënëse kur erdhi dhe tha se ne duhet të qëndrohet pas fushatës së Max Rose për Kongresin. Ai tha se duhet të bëhet gjithçka që mundet për të më ndihmuar të shkoj në Kongres, sepse unë do të jem zëri i nevojave që ka komuniteti. Nuk kam qenë kurrë më i nderuar në jetën time sesa të qëndroj atje përkrah gjeneralit Clark dhe me komunitetin shqiptar në Staten Island dhe Brooklyn në qytetin e New York-ut për të folur për vizionin tonë për të ardhmen.
Në fakt, më duhet të them se është një nder për mua të intervistoj dikë që është dekoruar me medalje për trimëri dhe heroizëm si Zemra e Purpurt ose Medalja e Bronztë. Jeni plagosur nga një bombë gjatë shërbimit në Afganistan. A mund të tregoni pak më tepër për karrierën tuaj në Forcat e Armatosura Amerikane dhe si kanë qenë vitet tuaja në Kongres dhe më pas në Pentagon?
Absolutisht. Së pari, më lejoni të them se është nder për mua që jam këtu me ju. Ka qenë privilegj i jashtëzakonshëm të shërbeja si oficer këmbësorie në Forcat e Armatosura të Shteteve të Bashkuara. Unë jam ende i privilegjuar të shërbej si rezervist sot, kam qenë i dislokuar në Afganistan para një dekadë ku kam të luajtur një rol shumë të vogël në luftën tonë për liri dhe siguri. Aty kisha ushtarët që më besuan, duke punuar së bashku, duke i udhëhequr kemi bërë gjëra të pabesueshme, të mahnitshme çdo ditë, të gjitha këto në mbrojtje të vendit tonë të madh. Dhe në të vërtetë ne jemi aleatë. Kur njerëzit vendosin vendin në radhë të parë, jo partinë e tyre politike për të kryer punët. Dhe unë dua të shoh këtë në sallat e Kongresit. Por sigurisht, unë vazhdova të shërbeja si këshilltar i lartë i sekretarit të mbrojtjes dhe përsëri në Pentagon pashë burrat dhe gratë tona me uniformë, janë individë që kanë një nivel shumë, shumë të lartë në pozicione drejtuese, dhe përsëri, ishin ne shërbim të kombit edhe pse të tjerët mendonin se ishte e pamundur. Nëse do të kishim njerëz me këtë lloj sjelljeje në politikën tonë amerikane, nuk do të merreshim me këto probleme sot që jemi.
A jeni takuar ndonjëherë me ushtarake shqiptarë gjatë shërbimit tuaj në Afganistan?
Nuk munda dot, por do të ishte nderi im absolut të merrja pjesë në vizita të tilla si përfaqësues i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Do dëshironit të vizitonit Shqipërinë në të një ardhme?
Ju garantoj që tani. Ju garantoj se do ta bëj këtë.
Rose, ju falënderoj shumë për intervistën dhe ju uroj suksese në garën tuaj për Kongresin.