MENU
klinika

Fqinjët: U çonim bukë fshehurazi

Ngujoi për 6 vjet familjen, 52-vjeçari: Kam ndjekur parimet fetare

07.11.2022 - 12:27

Një denoncim i ardhur nga një qytetar në Policinë e Tiranës, ka zbuluar një situatë thuajse në kufijtë e të pabesueshmes për të ndodhur në mes të Tiranës dhe për thuajse 6 viteve.

Një familje jetonte e ngujuar nga kryefamiljari i saj, i cili me sa duket ka vendosur t’i “mbrojë” ata nga e keqja që ndodhet jashtë dyerve të shtëpisë, por duke i kërcënuar me jetë edhe brenda saj. Policia ka ndërhyrë me të marrë shqetësimin e një të afërmi të gruas së personit problematik, duke e vënë në pranga.

Në fakt, emri i tij nuk është i panjohur për ta dhe as për Prokurorinë e Tiranës. Ai ka qenë dhe më herët i proceduar dhe i hetuar për mbajtje pa leje të armëve të zjarrit, por më pas i është ndryshuar, akuza duke e akuzuar për prishje të rendit dhe të qetësisë publike, por pa i shkuar në banesë, për të parë se kush është personi që shtinte me armë lagjes së “5 Majit”. Dje, Policia dhe skuadra e Antiterrorit janë shtangur nga ajo çfarë kanë parë në banesën e familjes Laçi, e ardhur nga një zonë e Dibrës prej rreth 15 vjetësh e të vendosur në atë vend.

Gjatë marrjes në pyetje, Laçi ka mohuar të ketë dhunuar bashkëshorten e tij, si dhe dy djemtë. Ai ka thënë se nuk i linte fëmijët të dilnin nga banesa për të mos u infektuar.

“Kam ndjekur parimet e mia fetare. Fëmijët dhe bashkëshorten nuk i kam lënë të dalin për t’i ruajtur nga e keqja. Nuk doja që ata të nisnin drogën apo të infektoheshin”, ka pohuar Laçi.

DENONCIMI
Xherxh Laçi, është burri 50 vjeç që dje është vënë në pranga për mbajtjen e familjes së tij në ngujim. Bëhet fjalë për gruan e tij, E. 44 vjeçe, dhe dy djemtë, S. dhe A. përkatësisht 17 dhe 15 vjeç. Ata kanë qëndruar të mbyllur brenda për 6 vjet nga Xherxhi, i cili sipas dëshmisë së dhënë nga denoncuesi i kërcënonte se do t’i vriste nëse dilnin nga dera e shtëpisë. E kështu, fëmijët janë detyruar të lënë edhe shkollën për t’ju përgjigjur planit të të atit për t’i “mbrojtur”.

Sipas të dhënave, në dijeni të gjendjes së kësaj familjeje kanë qenë përveç familjes së të dy palëve, edhe fqinjë të familjes Laçi, të cilët kanë dëshmuar pas arrestimit të tij se ata shpeshherë ua çonin bukën e ushqimet fshehurazi gruas dhe dy djemve, kur Xherxhi nuk ishte në shtëpi. Policia bën me dije se në fakt dibrani ishte një person që shkonte në xhami çdo të premte, ndërkohë që gruaja dhe dy djemtë nuk kishin të drejtë të dilnin nga dera e shtëpisë. Ka qenë ky detaj i dokumentuar nga Policia që i ka detyruar të fusin në operacion skuadrën e Antiterrorit, duke menduar se kanë të bëjnë me një person të rrezikshmërisë së lartë. Po Laçi, rezulton të jetë njeri me probleme të theksuara të shëndetit mendor, ndërkohë që ai dhe familja e vogël e tij prej 10 vjetësh jetojnë në mes të Tiranës pa asnjë të ardhur.

GJENDJA
E ndërsa Xherxhi është vënë në pranga për t’u shoqëruar për në komisariat dhe më pas për të nisur ekzaminimet shëndetësore për të, bashkëshortja e tij dhe dy djemtë mësohet se janë strehuar në një qendër sociale. Ata kanë jetuar në kushte të mjerueshme, pa energji elektrike dhe duke u ushqyer vetëm me të falurat e fqinjëve, ushqime që janë sajuar si të gatuara në një aneks që shërbente për ballkon në të cilin ndizej zjarri. Policia bëri me dije se i arrestuari i tyre ishte një person problematik edhe më herët, për shkak të precedentit të mëparshëm, por ka dyshime që ai vuan nga çrregullime mendore e për pasojë do t’u nënshtrohet kontrolleve. Nuk dihet se çfarë do të bëhet me dy djemtë, të cilët kanë mbetur pa shkollë, pasi i ati nuk i lejonte të dilnin jashtë rrethimit. Policia theksoi se në banesën e Laçit u gjetën edhe municione po nuk është gjendur ndonjë armë zjarri, përveç se mjeteve mprehëse dhe sendeve të forta. Gruaja dhe dy fëmijët kanë dëshmuar se janë dhunuar sistematikisht prej tij për vite me radhë.