Është zbardhur dëshmia e bashkëshortes së radikalistit, Xherxh (Gjergj) Laçit, e cila ka deklaruar se 52-vjeçari prej rreth 12 vitesh ushtronte dhunë psikologjike dhe fizike ndaj saj si edhe fëmijëve të tyre të mitur.
Gruaja ka pretenduar se bashkëshorti nuk i lejonte të dilnin as tek oborri i shtëpisë së tyre private duke qëndruar gjithë kohës mbyllur brenda ambienteve të banesës ku jetonin në kushte të mjerueshme.
“Kjo shtetase ka kallëzuar se bashkëshorti i saj ka ushtruar prej 12 vitesh dhunë fizike dhe psikologjike, në mënyre te vazhdueshme dhe te përsëritur ndaj saj dhe fëmijëve te mitur, dhe se fundmi i ka mbajtur te gjithë të mbyllur ne shtëpi, duke i kërcënuar te mos dilnin jashtë. Dhunën fizike bashkëshorti i saj e ka ushtruar në prani të fëmijëve, duke u krijuar shume stres dhe frike. Ata qëndronin gjithë ditën të mbyllur në shtëpi, pasi babai i tyre nuk i lejonte te dalin jashtë, gruan nuk e lejonte që të dalte as deri tek oborri i shtëpisë private”, thuhet në dosje, sipas News 24.