Largimi i shqiptarëve jashtë vendit kohët e fundit, sidomos në Britani, është bërë objekt debati në politikë. Kryeministri Edi Rama justifikohet duke thënë se shqiptarët gjithmonë kanë emigruar dhe e vetmja kohë kur u penguan ishin gjatë kohës së komunizmit.
Gjatë një takimi me të rinjtë në zonën e Kamzës, Rama u shpreh se nuk është faji i “politikanëve të poshtër”, por është një fenomen që ndodh në cdo vend të Botës.
“Po ju them që është e thjeshtë, por edhe njëkohësisht sipërfaqësore që të thuash largimet e këtyre 30 vjetëve vijnë si rezultat i politikës së degjeneruar. Asnjë politikë dhe asnjë skuadër politike, ju e dini që unë nuk kam respekt për ata që ishin para nesh, nuk është për tu justifikuar, por asnjë skuadër politike e ardhur edhe nga hëna nuk do kishte mbyllur derën dhe shqiptarët i mbante këtu. Kjo nuk bën sens. Dhje kjo do të thotë që këtu në një periudhë kohe të shkurtër të bëhej njësoj si gjermania, Franca apo Britania. Kjo nuk është e mundur.
Sepse po të ishte e mundur do kishte ndodhur dikur tjetër. Nëse do ta kishin të gjithë fajin politikanët e poshtër, atëherë me siguri në vendet e tjera do kishin dalë politikanë dhe udhëheqës që nuk do ta kishin lejuar këtë trend. Kjo nuk ka ndodhur. Ne flasim sot për të rinjtë që ikin nga fshati.
Më tregoni një vend sot, jo nga këta që janë në nivelin tonë, por në Evropën e bashkuar, më tregoni një vend që të rinjtë nuk ikën nga fshati. Diku më shumë e diku më pak. Mos harrojmë që vendet e tjera nuk dolën nga izolimi total si ne, se vërtet bendet ish komuniste nuk e kishin të hapur për të shkuar lirisht në perëndim, por kishin liri mes veti. Largimet i kanë bërë më kohë dhe me vakt dhe hap pas hapi. Ne u mbyllën 50 vjet brenda, na u hodh çelësi në det dhe pasi kishim qenë më parë një popull goxha i dhënë pas migrimit. Shqiptarët kanë migruar gjithmonë. Shqiptarëve ju ndërpre migrimi nga komunizmi. Sigurisht që kur vendi është në këtë trend, ndodh një pjesë e humbjeve të burimeve cilësore njerëzore, por kjo ka edhe anën e mirë, nëse nuk do ishin njerëzit që kanë emigruar Shqipëria nuk do ishte gjallë”, tha Rama.