Tenisti serb Novak Djokovic ende nuk e ka të sigurt të ardhmen e tij, nëse do të luajë vitin tjetër në grand slam të Australian Open apo jo. I pavaksinuar, ai këtë vit u përfshi në një telenovelë të gjatë, ku fillimisht udhëtoi në Melbourne, por më pas u kthye mbrapsht në shtëpi.
Ndërkohë që, gjatë qëndrimit 10-ditor, ai u akomodua në një institucion për emigrantë. “Ajo që ndodhi këtë vit në Melbourne më ka prekur shumë, pasi nuk kam fyer askënd dhe i kam respektuar të gjithë. Kam treguar se di si mund të sillem dhe se çdo njeri ka të drejtën e tij të bëjë zgjedhjen e tij, në liri të plotë”, u shpreh Djokovic për mediat australiane në një intervistë.
“Nuk e di nëse do të jem në Australi në janar apo jo. Kam marrë disa sinjale pozitive, por asgjë zyrtare deri më tani. Jam në kontakt me avokatët e mi në Australi, të cilët janë në kontakt me autoritetet vendase, që merren me çështjen time. Shpresoj që brenda disa javëve të marr një përgjigje, cilado qoftë ajo, pozitive apo negative”, tha Djokovic.
“Unë vetëm dua të luaj tenis, ndaj shpresoj shumë që të jem aty vitin tjetër. Në Australi gjithnjë kam arritur të jam maksimumin tim dhe këtë vit jam super i motivuar. Shpresoj që të marr një përgjigje pozitive”, – u shpreh serbi, që rrezikon deri në 3 vite pezullim për të hyrë në Australi për deklarate të rreme.