Roma nuk shkoi përtej një barazimi me shifrat 1-1 në transfertë ndaj Sassuolos. Verdhekuqtë shpërdoruan disa raste në pjesën e parë ndërsa në fraksionin e dytë gjetën golin me anë të sulmuesit Tammy Abraham.
Ishte minuta e 80-të kur sulmuesi britanik shënoi me kokë dhe u duk se të besuarit e trajnerit Jose Mourinho do të ktheheshin në shtëpi me tre pikët e plota. Por, nuk ishte e thënë pasi kundërshtarët reaguan vetëm pesë minuta më vonë me anë të Pinamontit i cili ndëshkoi portierin Rui Patricio me një goditje preçize brenda zonës.
Minutat e mbetura nuk ishin të mjaftueshme për Romën dhe në këtë formë sfida u mbyll në barazim 1-1. Pas këtij barazimi, kryeqytetasit mbeten në vendin e pestë me 26 pikë ndërsa ndërsa nga ana tjetër, me 10 pikë më pak se Roma, Sassuolo mban vendin e 13-të.
Ndërkohë, Lecce surprizoi Atalantën teksa i mposhti me rezultatin 2-1. Vendasit shënuan dy herë në pjesën e parë, teksa brenda dy minutave, në të 27-tën dhe të 29-tën shënuan me anë të Baschirotto dhe Di Francesco.
Sakaq, Atalanta shkurtoi shifrat me anë të Duvan Zapata në minutën e 40-të, por në fraksionin e dytë, pavarësisht se bergamaskët e kërkuan me ngulm golin e dytë nuk e gjetën atë.
Kështu, sfida përfundoi me rezultatin 2-1, ndërsa pas kësaj disfate, Atalanta mbetet në vendin e katërt me 27 pikë, ndërsa Lecce ngjitet në vendin e 17-të me 9 pikë.