MENU
klinika

Masakra e 12 nëntorit 1944

Ekzekutimi pa gjyq i 14 burrave

12.11.2022 - 13:56

Brenda një nate, forcat komuniste që pas pak ditësh do të merrnin Tiranën, vranë në kryeqytet 14 burra. 14 figura të shquara të kombit dhe kulturës shqiptare u ekzekutuan pa gjyq e pa faj

Nëntor 1944. Ajo vjeshtë çdo ditë e më shumë merrte ngjyrën e gjakut. Forcat komuniste ekzekutonin në oborret e shtëpive, në rrugica, në bodrume, buzë lumenjve ata që i konsideronin armiq. Ata që vriteshin pa gjyq e pa faj, ishin njerëz të dëgjuar, ndikimi dhe mendimi i të cilëve i shqetësonte komunistët që po përgatiteshin të vinin në pushtet ndaj dhe çdo ditë firmoseshin urdhra ekzekutimesh që viheshin menjëherë në vend.

Ky program shfarosës solli edhe masakrën e 12 nëntorit, kur në Tiranë u ekzekutuan Ismail Agë Petrela, Muntaz Kokalari, Vesim Kokalari, Syrja Kokalari, Nebil Çika, Reshat Stërmasi, Muharrem Lleshi, Rifat Tërshana, Lluka Xhumari dhe Ali Panariti, 14 burra të nderuar që ranë nën plumbat e guerrilasve dhe ushtarëve.

Ismail Agë Petrela thuhet se u ballafaqua me ekzekutorët duke thirrur: “Qëlloni, burrat një herë vdesin!”, ndërsa Muharrem Lleshi nuk pati mundësi të thoshte asgjë sepse pasi i hynë në oborrin e shtëpisë në mesnatë, e vranë sapo u shfaq te pragu i derës. Mes të pushkatuarve ishte patrioti nga Dibra e Madhe që kish marrë pjesë në Kongresin e Dibrës dhe në hapjen e shkollave në zonën e tij, Rifat Tërshana, njeriu i suksesshëm i biznesit Lluka Xhumari dhe tregtari Ali Panariti, luftëtari i lirisë, Reshat Stërmasi, pjesë e Ushtrisë Kombëtare dhe më pas komandant i Rinisë së Ballit Kombëtar, por edhe intelektualë klasi si drejtuesi i “Arbëria”-s dhe “Minerva”-s dhe korrespondenti i Reuters dhe New York Times në Shqipëri, gazetari Nebil Çika, apo Muntaz dhe Vesim Kokalari, themelues të shtëpisë botuese “Mesagjeritë Shqiptare”, të cilët u ekzekutuan në skutat e hotel Bristol. Përndjekja ndaj familjes gjirokastrite nuk do të rreshtte kurrë. Ca më vonë do të arrestohej dhe burgosej edhe motra e Muntazit dhe Vesimit, shkrimtarja Musine Kokalari. Ato ditë vjeshte po bëhej prezantimi zyrtar i asaj që duhej pritur nga ky regjim: vrasjet pa gjyq dhe zhdukja e kundërshtarëve me metoda kriminale, por edhe sa lehtësisht e për sa pak dikush mund të shpallej armik dhe të ekzekutohej. Të kishe njohur nga afër udhëheqësin e ri, si Kokalarët që vinin nga i njëjti qytet apo si Rifat Tërshana që e kishte strehuar në shtëpi gjatë luftës, shpesh ndëshkohej me jetë. Po kaq rëndë ndëshkoheshin edhe ata që ishin angazhuar në Luftë me forcat e Ballit, edhe pse armët i kishin ngritur kundër pushtuesve, si Reshat Stërmasi i cili ishte bir i një prej flamurtarëve të Pavarësisë. Por nuk ishin të mbrojtur as ata që politikës i kishin qëndruar larg si durrsaku Lluka Xhumari që pas studimeve në Itali, ishte kthyer në atdhe dhe kishte ngritur me iniciativën e tij një shoqëri automobilistike, apo korçari Ali Panariti, tregtar i suksesshëm që kishte studiuar në Romë dhe ishte bërë edhe sipërmarrës i ndërtimit të rrugëve.

Plot 14 burra të njohur u ekzekutuan atë natë të 12 nëntorit, kur komunistët nxitonin të spastronin rrugën e marshimit në Tiranë. Pesë ditë më vonë hynë si triumfatore në kryeqytet, në tokën e të cilit ende nuk qe tharë gjaku i të vrarëve pa gjyq./kujtoal

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale