Nuk kishte grumbullim më të mirë para ndeshjes miqësore ndaj Italisë për Arbnor Muçollin, i cili është një nga emrat i cili po gjen hapësirë në listën e lojtarëve të grumbulluar nga trajneri Edi Reja në periudhën e fundit.
Mesfushori i cili ka qenë një emër që luante rregullisht me Shpresat, duket se po tërheq trajnerin italian i cili e pa nga afër edhe në grumbullimin në sfidën ndaj Arabisë Saudite.
Emri i tij u përfshi në listë për ndeshjet ndaj Italisë dhe Armenisë, por futbollisti do t’i bashkohet vetëm nesër skuadrës, pasi sot aktivizohej me klubin e Vejle ndaj Sonderjyske në kategorinë e dytë daneze.
Ai e ka festuar në mënyrën më të mirë të mundshme këtë ftesë nga përfaqësuesja shqiptare, duke shënuar golin e fitores 1-0 të ekipit të tij në minutën e 92-të të sfidës. Muçolli realizoi me një goditje dënimi perfekte duke i dhënë suksesin ekipit që kryeson kampionatin e kategorisë së dytë dhe është pretendent kryesor për t’u ngjitur përsëri në elitë.