Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, të premten priti në takim një delegacion nga Komisioni i Partneritetit për Demokraci (HDP) të Kongresit të SHBA-së për të diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit mes dy palëve lidhur me shërbimet e bibliotekës dhe arkivimit.
Në këtë takim ishin të pranishëm Mike Bishop, ish-kongresmen nga Partia Republikane, Derek Luyten, drejtor ekzekutiv i HDP-së, Kimberly Ferguson, specialiste për menaxhimin e Sistemit Informativ Legjislativ në Bibliotekën e Kongresit, Sarah Garding, analiste për Çështje Evropiane në Shërbimin e Kërkimit të Kongresit (CRS) dhe Kristen Sample, drejtore e përgjithshme e qeverisjes në Zyrën Qendrore të Institutit Kombëtar Demokratik (NDI) në Uashington.
“Në takim u shkëmbyen pikëpamje rreth mënyrave konkrete të bashkëpunimit ndërmjet HDP-së dhe Kuvendit, me fokus mbështetjen për ngritjen e Institutit Parlamentar, si dhe zhvillimin e shërbimeve të bibliotekës dhe arkivit të legjislativit”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Kuvendi i Kosovës.
Sipas kësaj komunikate, Konjufca gjatë këtij takimi falënderoi SHBA-në për mbështetjen që i ofron Kosovës, duke shtuar se “miqësia e dëshmuar, aleanca strategjike dhe partneriteti shembullor ndërmjet poujve dhe shteteve tona mbeten të palëkundura”.
Të enjten, HDP-ja bëri të ditur se këtë javë do të bashkëpunojë me Parlamentin e Kosovës lidhur me metodat që përmirësojnë llogaridhënien dhe profesionalizmin e legjislaturës”.
“Partneriteti për Demokraci në Dhomën e Përfaqësuesve, po punon ngushtë këtë javë me parlamentin e Kosovës për çështjet që kanë të bëjnë me kërkimin dhe arkivimin – elemente kritike për llogaridhënien dhe profesionalizmin e legjislaturës”, shkroi HDP-ja në Twitter.
Ndërkohë, drejtori ekzekutiv i HDP-së shkroi të enjten në Twitter se problemet e kërkimit, arkivimit dhe menaxhimit të të dhënave nuk duhen të lihen anash.
“Të konsideruara nga disa si cështje të dorës së dytë, këto janë cështje kritike për llogaridhënien dhe trasparencën e institucioneve”.
Sipas komunikatës së lëshuar nga Kuvendi i Kosovës, dy palët u pajtuan që të zgjerojnë bashkëpunimin dhe të shkëmbejnë përvojat “në dobi të ngritjes së efikasitetit dhe funksionalitetit të përgjithshëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës”. /REL