Nga Mehmet Elezi/
Në faqen e internetit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë njoftohen besimtarët se “dita e parë e Kurban Bajramit është sot, më 21 Gusht 2018”. Njësoj në Kosovë, në Maqedoni.
Emri shqip i kësaj dite të shenjtë është Bajrami i Vogël, jo “Kurban Bajrami”.
Në Fjalorin e Gjuhës Shqipe, 2006, thuhet bajrami i madh dhe bajrami i vogël (sipas rregullave të parregullta të drejtshkrimit, me shkronjë të vogël!).
Kështu shkruhet edhe në Fjalorin e Orientalizmave në Gjuhën Shqipe të Dizdarit (2005). Në shtjellimin e fjalës bajram, aty thuhet: “…dy të kremtet kryesore që lusin e festojnë myslimanët. Bajrami i Madh… Bajrami i Vogël… (turqisht kurbán bayram)”.
Në një nga Këngët e Kreshnikëve, mbledhur në Kosovë, cituar prej Dizdarit, janë këto vargje: “Tre dorzanë unë po t’i baj…/ E të tretin: Bajramin e Vogel”.
Edhe në qershor njoftohej për “Fiter Bajramin”. Pse “Fiter Bajrami”?
Në fjalorët e gjuhës shqipe, madje as në Fjalorin e Orientalizmave në Gjuhën Shqipe, nuk gjindet kund “Fiter Bajrami”. Është vetëm Bajrami i Madh. Madje as fjala fiter si zë i veçantë nuk është aty. Kjo do të thotë se kjo fjalë s’ka qenë kurrë në gjuhën shqipe. Papritmas thirret sot me e zëvendësue fjalën shqipe!
Dje ishte Nata e Bajramit. Kështu është quajtur gjithmonë dita në prag të Bajramit. Siç thuhet Nata e Vitit të Ri, Nata e Shën Kollit.
Përsëri në Kalendarin e KMSH shkruhet: “Dita e Arafatit”. Çfarë kupton besimtari shqiptar me Ditën e Arafatit, pse nuk shkruhet Nata e Bajramit, siç i thonë shqiptarët?
Nuk dihet për ç’arsye zyrtarët, politikanët dhe media, kallëzohen aq të zellshëm me zëvendësue shkallë-shkallë edhe skajet (termat) fetare shqip me të tjera jo shqip. Prej padijes?
Të gjithë ata që urojnë me zemër, urime pritshin përherë. Por, ju lutem, shqip.
Pra gëzuar Bajramin e Vogël. Shëndet e mbaresi e Fat për krejt Shqiptarët.