MENU
klinika

Artur Ajazi

Përse nuk “rritet” opozita…

15.11.2022 - 16:13

Shpesh më duket sikur Partia Demokratike, nuk ka qenë asnjëherë në pushtet, por kur kujtoj bëmat e saj, rikthehem në realitetin e sotëm. Kjo për faktin sepse, e shoh që kjo opozitë nuk rritet por zvogëlohet, nuk maturohet por tjetërsohet, nuk ribashkohet por veçse ndahet, sepse nuk ka programe zhvillimi por thjesht merret me akuza dhe denoncime të pavlera. Por përse nuk rritet kjo opozitë, përse ka mbetur aq sa ka dashur të ketë mbështetës Berisha?

Ai gjithmonë ka dashur të ketë pas vehtes ata ithtarë që janë gati të kapin kallashin për të mbrojtur postin dhe pasurinë e tij, për të tjerat nuk ka pyetur shumë. Kjo opozitë, nuk motivon, dhe këtë e tregoi protesta e 12 Nëntorit. Ishte e vakët, e sajuar me sforco dhe njerës të paguar, por kurrë nuk mund të thuash se “ndezi zemrat e demokratëve për të sjellë ndryshimin”.

Eshtë e qartë se me Berishën kryetar partie, ose më keq akoma kryetar opozite, Partia Demokratike edhe për 15 vite të tjera nuk vjen në pushtet. Jo sepse këtë e them unë apo dikush tjetër. Por sepse Berisha tanimë ka konsumuar gjithçka nga vetja, nga formimi i tij politik, ai ka konsumuar pushtet, dhe mbetet njeriu që akuzohet sot nga drejtësia shqiptare dhe SHBA.

Në të gjitha vendet demokratike ku ka forcë qeverisëse dhe opozitë konstruktive, pushteti ka ballancat e veta, dhe betejat politike elektorale zhvillohen mbi norma dhe rregulla të paracaktuara. Rrotacioni i pushtet në vendet europiane, vjen natyrshëm, me votën e lirë dhe konsensusin e palëve. Ai që humbet zgjedhjet, respekton publikisht fituesin. Asnjëherë në Shqipëri, nuk ka ndodhur kjo. Asnjëherë, në 32 vite, humbësi serial i zgjedhjeve nuk ka pranuar dhe respektuar votën e lirë.

Dhuna në fushata dhe vjedhja apo blerja e votës, ka qenë teoria dhe praktika më famëkeqe e shpikur dhe Sali Berisha, e cila ka shoqëruar në dekada jetën politike në këtë vend. Ai edhe sot ka maninë e manipulimit, të sajesave, dhe nuk jeton asnjë minutë pa akuzuar pa fakte kundërshtarin politik. Me Sali Berishën në krye, Partia Demokratike e vitit 2022, ka të gjitha shanset të humbasë çdo palë zgjedhje. Propoganda tinëzare dhe premtimet qesharake që ai u bën demokratëve që e mbështesin në salla të mbyllura, apo dhe fjalimi i tij në 12 Nëntor në bulevardin e Tiranës, nuk po arrijnë të ribashkojnë dhe dimensionojnë maksimalisht opozitën. Ajo gjendet sot më e dyzuar se kurrë.

Në bazë anëtarësia po braktis seksionet dhe selitë lokale të PD, pasi nuk beson se Sali Berisha dhe kandidatët e “primareve” do të kenë fuqinë ti ribashkojë ata. Besimi dhe shpresa se “PD do të vijë ndonjëherë në pushtet me Berishën kryetar”, ka humbur dhe venitur tek shumica e anëtarësisë. Pas 14 Majit 2023, Partia Demokratike pritet të rrudhet edhe më tepër se kaq. Sali Berisha që sot, ka gati fjalimin e “mosnjohjes së zgjedhjeve dhe rezultatit të tyre”, dhe kjo për arsyen sepse i duhet të justifikojë qëndrimin e mëtejshëm në postin e kryetarit. Ai që dikur deklaronte se “i kërkova Lulzim Bashës të jepte dorëheqjen pas humbjesve”, sot po tregon me fakte se nuk ka në plan të largohet, edhe sikur PD të mbetet me “200 petrita” në atë seli.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga Artur Ajazi

Si gjyq “divorci”…