MENU
klinika

Atletikë

Maratonomaku 50-vjeçar që vrapon duke pirë cigare

17.11.2022 - 16:39

Të gjithë e quajnë “xhaxha Chen” (Uncle Chen), por historia e tij është bërë virale në gjithë botën. Bëhet fjalë për një kinez, rreth 50 vjeç, që ra në sy në maratonën e Guangzhou, pasi e përshkoi të gjithë distancën (42km), duke vrapuar dhe pirë cigare.

Ai ka pirë cigare njëra pas tjetrës gjatë garës dhe në disa foto të shkrepura ai duket teksa i ndez ato në kohën që vrapon. Dhe, pavarësisht moshës e cigareve, ai nuk doli keq në maratonë, duke e mbyllur garën në 3h28’45”.

Kjo nuk është hera e parë që ai merr pjesë në një event të tillë. Madje, edhe pse po plaket, kohët që ai ka arritur në maratona në katër vitet e fundit janë duke u përmirësuar. Dhe, gjithnjë, vrapon duke pirë cigare, ndërkohë që në jetën reale ai nuk është duhanpirës i rregullt.

Mediat thonë se ai pi duhan vetëm gjatë kohës që vrapon, që për disa psikologë është si një mënyrë për të hequr stresin dhe ankthin e garës. Ose, ndoshta është një bast që ai ka vendosur me të tjerët. Apo, siç thotë dikush, është një mënyrë e mirë për të mbajtur larg vetes garuesit e tjerë.