Ish-tenisti gjerman Boris Becker, i dënuar me dy vite e gjysmë burg për falimentim dhe mashtrim financiar në Angli, do të lërë burgun londinez të Huntercombe dhe do të transferohet në Gjermani.
Lajmin e konfirmuan mediat britanike, që thanë se brenda nëntorit, 3 herë fituesi i Wimbledon do të kalojë pjesën tjetër të dënimit në vendlindje. Becker ka përfituar nga disa rrethana lehtësuese për të përfituar këtë transferim.
Në prill të këtij viti, fillimisht ai u dërgua në burgun famëkeq të Wandsworth dhe më pas u transferua në Huntercombe, ku përfitoi disa masa lehtësuese. Ai mori edhe një ulje të dënimit me 135 ditë, duke e lejuar që të aplikojë në programin e transferimit në vendlindje, për të shlyer pjesën tjetër të dënimit.
Kohët e fundit, në burgun londinez, Becker ka nisur të punojë si asistent i mësimeve të gjimnastikës. Ai është një ikonë e tenisit, së fundi edhe trajneri i Novak Djokovic. Gjithsesi, ai do të kalojë Krishtlindjen në vendlindje edhe pse sërish në burg.