Rusët Igor Girkin, Serhii Dubinsky dhe Leonid Kharchenko, u shpallën fajtorë nga Gjykata e Qarkut në Hagë, për rrëzimin e avionit të civilëve, në korrikun e 2014-s, ku humbën jetën 298 persona.
Siç raportoi BBC-ja, përgjegjësit përveçse me burgim të përjetshëm, u dënuan me 16 milionë euro gjobë, ndërsa i katërti i akuzuar, Oleg Pulatov, që ishte nënkolonel i Forcave Ajrore të Rusisë, u shpall i pafajshëm.
Ata u dënuan në mungesë, pasi tre prej tyre nuk kishin prezantuar asnjëherë në gjykatë.
Gjyqi për rrëzimin e avionit Boeing 777, që po fluturonte nga Amsterdami për në Kuala Lumpur të Malajzisë, u zhvillua në Hagë, pasi dy të tretat e pasagjerëve të vdekur ishin holandezë. Rusia ka kundërshtuar gjyqin, duke mos i dërguar përfaqësuesit e saj.
Hetimin për rastin e pati quajtur të politizuar dhe të njëanshëm.
Më 17 korrik të 2014-s, avioni i civilëve ishte goditur nga një raketë që shkonte nga Donetsku, zonë ukrainase me shumicë ruse.