Shkencëtarët po japin alarmin për burrat, duke theksuar se ata janë më të rrezikuar se gratë nga shumica e kancereve .“Shumica e llojeve të kancerit janë më të zakonshme tek meshkujt sesa tek femrat , për arsye që ende nuk janë kuptuar plotësisht”, thekson kërkimi shkencor amerikan.
Përgjigja ndoshta qëndron më shumë në dallimet themelore biologjike midis gjinive dhe më pak në dallimet në sjelljet mashkull-femër si pirja e duhanit, konsumimi i alkoolit, dieta dhe faktorë të tjerë të stilit të jetesës. Një kuptim më i mirë i arsyeve për këto dallime në rrezikun e kancerit, shpresojmë se do të çojë në përmirësimin e parandalimit dhe trajtimit të kancerit .
Studiuesit, të udhëhequr nga doktoresha Sarah Jackson e Institutit Kombëtar të Kancerit në SHBA, e cila bëri publikimin përkatës në revistën CANCER të Shoqatës Amerikane të Kancerit, analizuan të dhënat për 171,274 burra dhe 122,826 gra të moshës 50 deri në 71 vjeç. Gjatë studimit, 17,951 kancere të reja u diagnostikuan te meshkujt dhe 8,742 te femrat.
Probabiliteti i kancerit ishte më e ulët tek meshkujt sesa tek femrat vetëm për sa i përket kancerit të tiroides dhe fshikëzës së tëmthit. Për kanceret në pjesë të tjera të trupit, rreziku ishte 1.3 deri në 10.8 herë më i madh tek meshkujt sesa tek femrat.
Dallimet janë biologjike
Rreziku më i rritur për meshkujt është për kancerin e ezofagut (10.8 herë më i lartë krahasuar me femrat), laringut (3.5 herë më i lartë) dhe fshikëzës (3.3 herë më i lartë).
Hulumtimi vlerëson se meshkujt kanë një rrezik në rritje për shumicën e kancereve edhe pasi llogaritin një gamë të gjerë të sjelljeve të tyre më të rrezikshme dhe ekspozimin më të shpeshtë ndaj kancerogjenëve në mjedis. Dallimet gjinore në sjellje u vlerësuan se shpjegonin vetëm një pjesë (nga 11% në kancerin e ezofagut në 50% në kancerin e mushkërive) të rritjes së rrezikut të kancerit te meshkujt.
Prandaj, sipas studiuesve, janë dallimet biologjike (gjenetike, imunologjike, etj.) midis dy gjinive që luajnë një rol të madh që meshkujt të jenë më të prekshëm ndaj kancerit sesa femrat.
” Gjetjet tona tregojnë se ka dallime në incidencën e kancereve që nuk shpjegohen vetëm nga ekspozimi ndaj faktorëve mjedisorë. Kjo do të thotë se ka dallime të natyrshme biologjike midis burrave dhe grave që ndikojnë në cenueshmërinë e kancerit”, theksoi Dr. Jackson.