MENU
klinika

Ishin gjobitur nga Robert Aga

Goditën ish-shefin e komisariatit, në hetim dy persona!

18.11.2022 - 11:35

Bekim Agolli dhe Robin Murrja janë vënë nën hetim nga policia e shtetit, pasi kanë goditur me grusht ish-shefin e komisariatit të policisë së Dibrës Robert Agën. Burime për Report Tv bëjnë me dije se Aga është goditur për shkak të detyrës që ka mbajtur si ish-shef i qarkullimit rrugor, pasi ky i fundit i kishte gjobitur.‘Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Dibër, referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Dibër për veprën penale “Plagosje e lehtë me dashje”, për shtetasit B.A., 30 vjeç; R.M., 40 vjeç, banues në Dibër. Këta shtetas me datë 17.11.2022, rreth orës 12.⁰⁰, në qytetin e Peshkopisë , për motive të dobëta kanë goditur me grusht shtetasin R.A., 59 vjeç, banues në Tiranë. Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.’- njofton policia.

Ish-shefi i Komisariatit të Dibrës, Robert Aga u sulmua fizikisht para Gjykatës së Shkallës së Parë në Dibër. Ngjarja u rrëfye nga ish kreu i njësisë Administrative Hasan Hoti, i cili së bashku me Agën akuzohen për krim elektoral në kuadër të dosjes 184. Sipas deklaratës së Hotit, Robert Aga është sulmuar fizikisht nga disa persona ndërkohë që ka qenë duke pritur nisjen e seancës para gjykatës së Shkallës së Parë në Dibër. Me deklaratën e bërë, Hasan Hoti justifikoi edhe vonesën e tij në seancë.

Kujtojmë që Robert Aga ka qenë një prej personave që në audio përgjime flet me deputetin socialist, Damian Gjiknuri, ish ministrin Saimir Tahiri dhe ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manjan, të cilëve u kërkoi një pozicion më të mirë pune si shpërblim i ndihmës së tij në zgjedhjet për kryetarin e bashkisë së Dibrës.

Në janar të 2020, vëllai i tij, Pajtim Aga u arrestua nga policia si i përfshirë në trafikun e kanabisit, ndërsa u lirua muaj më vonë duke i zëvendësuar masën e sigurisë nga arrest me burg, në arrest shtëpiak. Arrestimi i Pajtim Agës solli edhe shkarkimin e Robert Agës nga posti i shefit të Qarkullimit Rrugor. Për zbulimin e 32 kilogramëve me drogë u proceduan janë dhe disa persona të tjerë si Edmond Rajta, Shkëlzen Mazari, Devis Mija, Fatjon alias Paulin Dodaj, Marsida Piperi dhe Arjet Halilaj. Gjatë operacionit “Tranzit” të kryer në muajin janar 2020, këtij grupi personash policia arriti t’u sekuestrojë plot 32.5 kg drogë të përpunuar në çokollatë.