Inspektorë të Autoritetit Rrugor Shqiptar kanë zbarkuar në terren për procesin e verifikimit dhe matjen e objekteve, në një kohë kur protestat e banorëve të zonës së Astirit vijojnë.
Në kuadër të projektit për Unazën e Madhe parashikohet shembja e shumë objekteve, ndërsa banorët kërkojnë dëmshpërblim 100 %.
Aktualisht ARRSH po vijon e procedurat e verifikimit, për të bërë të mundur që më pas të bëhen edhe shpronësimet e pronarëve.
Banorët pretendojnë se nuk kanë marrë asnjë dokument apo njoftim paraprak për prishjen e objekteve.
“Tek ne vijnë pa asnjë njoftim për të prishur shtëpinë. Këta duhet të na kishin sjellë në mënyrë zyrtare letrat për prishjen e objekteve. Ne kërkojmë që të spostohet, sepse gjynah të prishen këto shtëpi.
Projekti ka ndryshuar disa herë. Ne nuk duam konfrontim me asnjë. Pse duan të na bëjnë të keq pa qenë. Ne duam shpronësim, ose devijim të projektit”, tregon njëri prej banorëve. Më tej ai rrëfen se kjo situatë po prek edhe gjendjen emocionale dhe psikologjike të fëmijëve.
“Tre jetimë i kam, do ia lë Edi Ramës amanet, nëse mund t’i mbajë. Kam dhe dy invalidë. Kam dhe motrën e sëmurë.
Ta dish sa janë traumatizuar kalamajtë. Një dëm psikologjik sa nuk e ke idenë. Por a ka fëmijë ai?! Nëse ke fëmijë, mendo si për fëmijën tënd, mos mendo për ne se jemi të rritur. Është katastrofë”, shprehet banori.