MENU
klinika

Deputeti i Parlamentit Europian

“Rusia po përpiqet të përdorë Ballkanin Perëndimor për interesat e saj”

18.11.2022 - 21:55

Deputeti i Parlamentit Europian, Vladimir Bilçik , tha të premten se procesi i zgjerimit në Ballkanin Perëndimor është jashtëzakonisht i vështirë, sepse, siç tha ai, vendet e rajonit kanë arritur “hapa të vegjël” në atë drejtim dhe se pa një zgjidhje të krizës aktuale në Mal të Zi, është e vështirë të pritet përparimi i tij në procesin e integrimit.

“Mali i Zi mori drejtimin në negociatat e anëtarësimit, por nëse kriza aktuale nuk zgjidhet, është e vështirë të pritet që të ketë përparim për integrim në të ardhmen e afërt ,” tha zoti Bilçik, duke folur në Forumin e Integrimit Ballkanik në Podgoricë.

Zoti Bilçik tha gjithashtu se “Rusia po përpiqet të përdorë Ballkanin Perëndimor si një front të rëndësishëm për interesat e saj, për luftën e saj hibride kundër Europës”.

Ai vuri në dukje se të gjitha vendet anëtare të BE-së duhet të përfshihen më shumë në zhvillimet në rajon dhe se “partnerët nga Ballkani Perëndimor duhet të japin rezultate konkrete”.

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, duke folur në Forumin e Integrimit Ballkanik, të organizuar nga Lëvizja Evropiane në Mal të Zi, tha se “ajo që ndodhi në Mal të Zi në vitin 2016 ishte nën të njëjtin titull politik si agresioni rus kundër Ukrainës”.

“Për vite të tëra, Rusia është përgatitur intensivisht për idenë e revizionizmit historik, për ta bërë Rusinë e sotme po aq të rëndësishme sa Bashkimi Sovjetik. Prandaj u promovua ideja e “botës ruse”, e cila në Ballkan e shihte homologun e tij si ‘botën serbe’…

Ne i rezistuam kësaj dhe u bashkuam me NATO-n, por Rusia ka vazhduar të zhvillojë modelin e saj të shkatërrimit hibrid në Ballkan. Ajo ka zhvilluar dy baza hibride – njëra është, e keni marrë me mend, Serbia, dhe tjetra është Republika Srpska. Ju keni një prani të fortë të mediave ruse, agjencive të tyre të inteligjencës dhe sigurisë, biznesit, keqpërdorimi i Kishës Ortodokse Serbe , për të cilën disa nga partnerët tanë perëndimorë u ankuan në vitin 2020…”, tha zoti Gjukanoviq.

Në panelin presidencial të titulluar “Pozicionimi i Ballkanit Perëndimor në marrëdhëniet globale në dritën e krizës ukrainase”, zoti Gjukanoviq tha se integrimi i rajonit është më se i nevojshëm për sigurinë e përgjithshme.

“Është e rëndësishme që Bosnja dhe Hercegovina të marrë statusin e kandidatit , do të jetë e rëndësishme që Kosova të marrë liberalizimin e vizave, do të jetë e rëndësishme që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të marrin dritën jeshile për fillimin e negociatave me BE-në,” tha zoti Gjukanoviq.

Anëtari i presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Zhelko Komshiq tha se ata presin që Bosnja dhe Hercegovina të marrë statusin e kandidatit në negociatat me Bashkimin Europian në dhjetor.

“Vendimi që do të merret do të jetë gjeopolitik, sepse ka lidhje të thella me atë që po ndodh në Evropën Lindore”, tha zoti Komshiq.

Ai vlerësoi se rruga euroatlantike sjell paqe, siguri dhe prosperitet në Bosnjë-Hercegovinë. “Është një rrugë ekzistenciale për Bosnjë-Hercegovinën”, nënvizoi ai.

Ndërkaq, në takimin e dytë të përfaqësueseve të partive parlamentare për zgjidhjen e krizës politike në Mal të Zi, që u mbajt të premten në Podgoricë, nuk u arrit marrëveshje mes mazhorancës dhe opozitës për asnjë çështje.

Kryetarja e parlamentit, Danijela Gjuroviq, shprehu gatishmërinë e saj për të organizuar sërish takimin:

“Por nëse do të jetë që të gjithë të flasin për problemet dhe ata të qëndrojnë të gozhduar në pozitat e tyre, atëherë nuk e shoh qëllimin e këtyre takimeve”, tha zonja Gjuroviq.

Mali i Zi ndodhet në krizën aktuale politike që nga gushti, kur për qeverinë e Dritan Abazoviqit u votua për një mocion mosbesimi.

Shumica parlamentare, e cila ka 41 deputetë, e udhëhequr nga Fronti Demokratik pro-Rus, me Demokratët dhe lëvizjen URA, kërkon zgjedhjen e një qeverie të re, në krye të së cilës do të ishte kandidati i tyre Miodrag Lekiq.

Nga ana tjetër, blloku i opozitës dhe partive minoritare të udhëhequr nga Partia Demokratike e Socialistëve e Presidentit Milo Gjukanoviq mendon se Kuvendi duhet të shpërndahet dhe të organizohen zgjedhje të reja.

Krahas dallimeve për daljen nga kriza aktuale, marrëdhëniet mes qeverisë dhe opozitës i ndërlikoi edhe Ligji për Presidentin i miratuar më 1 nëntor, të cilin Presidenti Gjukanoviq e ktheu për rishqyrtim.

Në të njëjtën kohë, ai kërkoi nga Komisioni i Venecias një mendim urgjent për atë ligj.

Ndërkohë në Mal të Zi vazhdojnë protestat e mijëra qytetarëve, nga të gjitha qytetet e vendit, të cilët kërkojnë tërheqjen e ndryshimeve të Ligjit për Presidentin, miratimin e marrëveshjes për zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Mal të Zi./VOA

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Paralajmërimi i ministres së jashtme gjermane

“Rusia mund të përdorë “njerëzit si armë”!”

Deklarata e fortë e të dërguarës së Gjermanisë

“Ballkani i Hapur të mos dublojë procesin e Berlinit”