MENU
klinika

"Qeveria të miradministrojë hapësirën fiskale"

Banka e Shqipërisë: Normat e interesit do të rriten

19.11.2022 - 11:02

Në një intervistë të posaçme, Banka e Shqipërisë sqaroi se politika monetare ka hyrë në një cikël normalizimi të orientuar drejt respektimit të objektivit tonë të stabilitetit të çmimeve, gjë që është shprehur në rritjen e normës bazë të interesit.

Banka vuri në dukje se ka theksuar vazhdimisht rëndësinë e qëndrueshmërisë afatgjatë të financave publike, në funksion të reduktimit të rreziqeve financiare dhe rritjes së hapësirave për manovrim të politikës fiskale.

Në këtë kontekst, ne gjykojmë se konsolidimi fiskal bëhet një objektiv edhe më imperativ përballë rritjes së kostove të financimit, argumentoi Banka.

Banka Shqipërisë sinjalizoi në konferencën e fundit me misionin e FMN-së rritjen e mëtejshme të normës bazë të interesit. Qeveria, si një operator i madh në ekonomi, po përballet me kosto të larta të financimit të borxhit të brendshëm. Rritja e interesave të letrave të qeverisë është më e shpejtë se rritja e normës bazë të interesit. Si duhet të reagojë politika fiskale për të mos ushtruar presion në këtë drejtim?

Sikurse kemi theksuar në vazhdimësi në daljet tona publike, politika monetare ka hyrë tashmë në një cikël normalizimi të orientuar drejt respektimit të objektivit tonë të stabilitetit të çmimeve, çka është shprehur në rritjen e normës bazë të interesit.

Në këtë kontekst, rritja e interesave të letrave me vlerë ka reflektuar, përveç rritjes faktike të normës bazë, edhe pritjet e investitorëve për vijimësi të këtij cikli normalizues në të ardhmen. Ky fenomen është një proces i natyrshëm në tregjet financiare dhe është i pranishëm edhe në vende të tjera.

Banka e Shqipërisë e ka theksuar vazhdimisht rëndësinë e qëndrueshmërisë afatgjatë të financave publike, në funksion të reduktimit të rreziqeve financiare dhe rritjes së hapësirave për manovrim të politikës fiskale.

Në këtë kontekst, ne gjykojmë se konsolidimi fiskal bëhet një objektiv edhe më imperativ përballë rritjes së kostove të financimit. Sa më sipër, ne konstatojmë se reduktimi i deficitit gjatë vitit 2022 dhe projektbuxheti i programuar për vitin 2023, i cili parashikon ulje të mëtejshme të deficitit dhe huamarrjes, shkojnë në drejtimin e duhur.

Prej disa vitesh, qeveria e përqendron stimulin fiskal në muajin dhjetor, a po i ndikon kjo sjellje e politikës fiskale interesat në tregun e brendshëm të bonove të thesarit?
Është e vërtetë që prej disa vitesh tashmë ka një cikël të tillë në shpërndarjen e huamarrjes së qeverisë gjatë viti. Kjo çon në rritje të luhatshmërisë afatshkurtër të interesave të letrave me vlerë të qeverisë, por, përtej tyre, nuk është përcaktuese në nivelin apo trendin e tyre.

Ecuria aktuale e normave të interesit të borxhit publik nuk vjen nga shpërndarja jo e njëtrajtshme e huamarrjes gjatë vitit, por nga pritjet e tregjeve për norma më të larta interesi në të ardhmen, si pasojë e normalizimit të pashmangshëm të qëndrimit të politikës monetare.

Sipas Bankës së Shqipërisë, cilat janë kostot dhe përfitimet në ekonominë e gjerë prej normave të interesit?
Normalizimi i qëndrimit të politikës monetare bëhet në funksion të respektimit të objektivit tonë të stabilitetit të çmimeve. Në këtë kontekst, normalizimi i shërben stabilitetit të përgjithshëm ekonomik dhe financiar të vendit dhe rritjes së qëndrueshme dhe afatgjatë të tij.

Pra, në një horizont afatmesëm dhe afatgjatë, ekonomia shqiptare do të ketë përfitime në formën e një ambienti ekonomik me çmime të qëndrueshme, në formën e një ambienti monetar e financiar të shëndetshëm, si dhe në formën e një kursi këmbimi të qëndrueshëm dhe të kostove të ulëta të financimit.

Është pikërisht ky kontributi më i mirë që një bankë qendrore mund të japë për rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë ekonomike dhe për rritjen e mirëqenies shoqërore.

Nga ana tjetër, në afatin e shkurtër, normalizimi i qëndrimit të politikës monetare tenton të prodhojë norma më të larta kthimi për kursimtarët, por dhe kosto relativisht më të larta financimi për bizneset dhe familjet.

Si parashikohet trajektorja e interesave në periudhën afatmesme dhe si duhet të orientohen individët për administrimin e kursimeve të tyre në këtë periudhë?

Në kushtet aktuale, normalizimi i politikës monetare është një aksion i domosdoshëm për të siguruar kushtet e nevojshme monetare për kontrollin dhe reduktimin e inflacionit. Ndër të tjera, normalizimi ofron një balancë më të mirë të rreziqeve që vijnë nga inflacioni i lartë dhe mbinxehja e ekonomisë.

Shpejtësia e normalizimit të qëndrimit të politikës monetare do të varet në vazhdimësi nga evoluimi i balancës së presioneve inflacioniste.

Banka e Shqipërisë mbetet e angazhuar të ruajë norma interesi të përshtatshme për të mbajtur inflacionin nën kontroll dhe për të siguruar një rritje të qëndrueshme ekonomike.

Në këtë kontekst, nuk gjykojmë se individët kanë arsye për të ndryshuar përqasjen e tyre afatgjatë ndaj konsumit dhe investimeve.

Megjithatë, sa i takon strukturës së investimit të kursimeve të tyre, ata duhet të jenë të kujdesshëm ndaj trendeve të vëna re në tregjet financiare.

Kjo do t’i ndihmojë për të marrë në çdo kohë vendime të informuara dhe konsistente me preferencat e tyre për likuiditet dhe norma kthimi./Monitor/

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Konturet e një krize borxhi kanë filluar të shfaqen

“The Economist”: 53 ekonomitë e brishta në zhvillim