MENU
klinika

BE zbardh çështjen e diskutimi

Nesër takimi “urgjent” Kurti –Vuçiç në Bruksel

20.11.2022 - 21:21

Bashkimi Evropian ka konfirmuar se takimi i nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi do të zhvillohet të hënën e 21 nëntorit. Në një komunikatë për media nga BE-ja thuhet se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, të hënën do të priten në Bruksel nga përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell dhe nga emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

“Të hënën, më 21 nëntor, në Bruksel do të mbahet një takim urgjent i nivelit të lartë të dialogut Beograd-Prishtinë. Takimet do të zhvillohet fillimisht ndaras e më pas do të ketë një takim të përbashkët. Përfaqësuesi i Lartë do të nisë me takime të veçanta me secilin lider duke filluar nga ora 08:00, e më pas do të ketë një takim të përbashkët”, vijon njoftimi.

Takimi është një përpjekje të re e Bashkimit Evropian për të gjetur një zgjidhje për situatën në veriun e Kosovës.

“Fokusi i takimit urgjent do të jetë gjetja e një rrugëdaljeje nga kriza aktuale dhe shmangia e çdo përshkallëzimi dhe tensioni të mëtejshëm në terren, me theks në targat dhe kthimin e serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Edhe kryeministri Kurti por edhe presidenti serb e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre.

“Kryeministri Kurti udhëton sot për në Bruksel, ndërkaq takimi ndërmjet kryeministrit Kurti dhe z. Vuçiç është konfirmuar për nesër, ditë e hënë”, ka thënë për Telegrafin zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Në fund të takimit do të ketë një deklaratë për mediat nga përfaqësuesi i Lartë. Takimi ndodh në ditën kur ishte paraparë të fillojë faza e dytë e zbatimit të vendimit të qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave ilegale që duhet të përfundojë në prill të vitit të ardhshëm.

Nga e hëna sipas vendimit pritej të fillojë gjobitja e atyre që nuk i kanë konvertuar targat e makinave. Vendimi kundërshtohet nga Beogradi dhe serbët në veriun e Kosovës të cilët kanë paralajmëruar rezistencë ndaj zbatimit të tij.

Të dielën pasdite Policia e Kosovës tha se edhe nesër do të vazhdojë me paralajmërimet ndërsa nga e marta më 22 nëntor do të fillojë shqiptimi i gjobave.

Bashkimi Evropian e ka cilësuar situatën në veriun e Kosovës më të rrezikshmen që nga viti 2013, ndërsa janë shtuar patrullimet e forcave të policisë së Misionit të EULEX-it.

Rreth 130 oficerë nga Polonia dhe Italia janë vendosur në veri për të mbështetur dhe këshilluar policinë e Kosovës në rrethanat e një boshllëku në zonë të krijuar me largimin e policëve lokal serbë.