MENU
klinika

Fluturimi i parë 31 gusht

Air Albania/ “Çmimet më të lira në treg”

21.08.2018 - 10:00

Mediat turke janë të parat që japin lajmin për fluturimin e parë të kompanisë shqiptare ajrore Air Albania, që më pas konfirmohet edhe nga Autoriteti i Aviacionit Civil, si edhe nga aksioneri shqiptar i Air Albania, Sinan Idrizi, sipas të cilit, ngritja e avionit të parë mund të shtyhet edhe për në ditët e para të shtatorit.

Sipas portalit turk kokpit.aero, do të jenë dy avionë Airbus A319 që do të udhëtojnë fillimisht nga Tirana në Stamboll  e anasjelltas, që më pas do të zgjerohen edhe në vende të tjera si Prishtinë, Shkup, Zagreb, Podgoricë, Sarajevë, dhe të tjera destinacione kryesore në Evropë.

Pas falimentimit të kompanisë Belle Air në vitin 2013, e cila ishte e vetmja kompani kombëtare, në Shqipëri operojnë vetëm kompani të huaja fluturimi.

Si do të sigurohen çmimet më të lira për pasagjerët?

Sipas Idrizit, tashmë është dakordësuar ngritja e një ndërmarrjeje paralele, që do të bëjë furnizimin me lëndë të parë. Kjo duke marrë në konsideratë faktin se çmimi i vajgurit, me të cilin furnizohen sot avionët, është më i shtrenjti jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë, ndërkohë që 30% e kostos së biletës varet pikërisht nga lënda djegëse.

“Ne kemi kërkuar që për të ulur çmimet e biletave të vetëfurnizohemi me lëndë të parë. Kjo do të thotë se do të ndërtojmë një ndërmarrje paralele, që të na ofrohet i njëjti shërbim dhe cilësi. Kjo është një  praktikë që e kanë edhe kompanitë e tjera, për shembull kompania jonë mbështetëse “Turkish Airlines”, u shpreh Idrizi.

51% e aksioneve të kompanisë ‘Air Albania’ janë shqiptare, ndërsa 49% i takojnë kompanisë turke të fluturimeve ‘Turkish Airlines”.