Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Enkelejd Alibeaj nisi prezantimin e kandidatëve për zgjedhjet lokale të 14 majit.
Pas dështimit të negociatave për daljen me kandidatë të përbashkët në PD, Alibeaj ka prezantuar në këtë mënyrë kandidatin e parë nga radhët e grupit të tij.
“Si mundet një regjim me patronazhistë, një regjim që rreshton të gjithë bandën për të bërë vota për pushtetin? Ka vetëm një mënyrë. E para njeri është të jesh njeri i lirë. E dyta, me moral. Pse ikin njerëzit sot? Sepse ende nuk kemi mundur si opozitë t’u japim arsyen për të mos e blerë atë biletë për të ikur. Agron Kapllani nuk premtoi në 2015 vende pune, por tha “I barabartë gjithkush”.
Kjo është të jesh i moralshëm, i ndershëm në dhënien e shërbimit. E dyta, me alternativë. Mund të jesh i ndershëm, mund të jesh i sinqertë, por duhet të kesh alternativë. Çfarë do bësh ti për qytetin, për bashkinë? Në rastin e Agron Kapllanit kjo është e tejkaluar sepse ka pasur nga 2015-2019 për ta parë si e trajton qeverisjen ndaj njerëzve pa bërë asnjëlloj dikriminimi, as për të majtë, as për të djathtë”, tha Alibeaj.
Alibeaj iu përgjigj nga Mallakastra edhe kreut të PD-së, Sali Berisha i cili sot paradite gjatë një komunikimi me ndjekësit në Facebook, i quajti deputetët e tij bukëshkalë.
“Anatemohemi ne për pazar me Edi Ramën? Bukëshkalë? Pengje? Kush e votoi pro çështjen inceneratorëve dhe kush nuk e votoi? Një pjesë e ministrave sot janë në burg sepse atë çështje e ngritëm ne. Ca njerëz nuk erdhën as për ta votuar, madje edhe na shanë. Kush e votoi përfaqësuesin e maxhorancës “mamuthi i korrupsionit” te Banka e Shqipërisë? Fitoi “mamuthi i korrupsionit” me votat e këtyre që i bashkuan me maxhorancën. Çështjen e Portit të Durrësit e ngritëm ne. Njerëzit nuk kanë nevojë për zhurmën e kapjes së foltores çdo të enjte në mëngjes, por kanë nevojë të dinë sa është vjedhur, kush janë oligarkët që darkojnë me Edi Ramën”, u shpreh Alibeaj.
Ndonëse nuk e përmendi me emër, Alibeaj iu referua si “mamuthi i korrupsionit”, ish deputetit dhe ministrit socialist, Anastas Angjeli, i cili akuzohej me këtë togfjalësh nga Berisha gjatë kohës kur ishte në opozitë përpara vitit 2005.