MENU
klinika

Botërori 2022, Grupi G

Brazili, ekipi i dytë që kalon grupin

28.11.2022 - 19:53

Brazili bëhet skuadra e dytë që kualifikohet për në fazën e 1/16 finale të Botërorit të Katarit pas Francës. Seleçao mposhti 1-0 Zvicrën dhe shkon në kuotën e 6 pikëve, ndërsa Zvicra duhet të bëjë llogaritë në përballjen me Serbinë.

Brazili dominoi totalisht në pjesën e parë, si në mbajtjen e topit, ashtu edhe në raste. E pritshme deri diku kjo, por vetëm dy momente për t’u veçuar në këtë fraksion. Fillimisht në minutën e 12-të, kur Paqueta pason në zonë për Richarlison në të djathtën, por ky i fundit nuk arrin ta devijojë topin në portë.

Në minutën e 27-të është rasti më i mirë për Brazilin. Harkim perfekt i Rafinhas nga e djathta, Vinicius i vetëm gjuan në shtyllën e dytë, por gjen përgjigjen e portierit Sommer.

Seleçao e nis pjesën e dytë si e para, me sulme të njëpasnjëshme dhe arrin të shpërblehet në minutën e 64’, kur Vinicius shpërthen në krah dhe mposht gardianin e Zvicrës. Por goli anulohet për pozicion jashtë loje. Pesë herë kampionët e botës nuk ndalen, ushtruan presion gjatë gjithë kohës, por mbrojtja helvete ishte në lartësinë e duhur.

Gjithsesi, goli do të vinte në minutën e 83-të pas një kombinimi trekëndësh, me Rodrygon që pason në fund për Casemiron, i cili gjuan me të jashtme, duke realizuar një gol shumë të bukur. Brazili nuk ndalet edhe pas shënimit të golit, por gjithsesi, mbyllet 1-0.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN