MENU
klinika

Nga Mero Baze

Armiqtë tanë nuk janë vetëm pushtuesit, por dhe sunduesit

28.11.2022 - 19:47

Mbledhja e përbashkët e dy parlamenteve në Tiranë dhe vazhdimi i festimeve në Vlorë, mes liderve të Shqipërisë dhe Kosovës, vlejnë për ti dhënë solemnitet festës kombëtare të shqiptarëve. Përtej solemnitetit dhe emocioneve kombëtare, protokolli i festimeve të përbashkët duhet të demonstroj qartë se e ardhmja e sigurt e shqiptarëve, nuk varet aq shumë nga aleanca me njëri tjetrin, por nga aftësia e të dy palëve, për të pasur lidership properëndimor në Tiranë dhe Prishtinë.

Siguria kombëtare e shqiptarëve sot, nuk është aleanca formale Tiranë Prishtinë, por aleanca e Tiranës dhe Prishtinës me Perëndimin.
E thënë më qartë, siguria kombëtare e Shqipërisë si vend i NATO bazohet tek të qenit një shtet demokratik, me zgjedhje të lira dhe i integruar në institucionet evropiane. Kjo nuk vlen vetëm si slogan. Kjo është rrugë e diktuar nga zhvillimet historike të Shqipërisë pas vitit 1990 dhe nga siguria që Shqipëria ka si vend demokratik i anëtarësuar në institucionet evropiane.

‘Rreziku i Shqipërisë, është një lidership antiperëndimor, një lidership autokrat, dhe mmnbi të gjitha një devijim nga rruga demokratike, e cila nxit udhëheqësit politik të gjejnë aleanca të tjera përveç Perëndimit. Historia ka treguar se izolimi 50 vjeçar i Shqipërisë e çoi atë në aleanca atipike me Beogradin, Rusinë dhe Kinën dhe i humbi Shqipërisë prespektivën e një vendi evropian, duke e gjetur viti 1900, një vend pa fuqi ekonomike, pa dinjitet njerëzor dhe mbi të gjitha me një urrejtje klasore që sillte nevojën e pajtimit kombëtar.

Historia ka treguar po ashtu se sa herë liderët tanë rrezikojnë pushtetin e kthejnë sytë nga errësira. Në vitin 1997, Sali Berisha i përballur me krizën e raporteve me SHBA dhe protestat popullore filloi të mendonte për një alencë me islamin politik të Lindjes, ndërsa sot i përballur me izolimin perëndimor, po përpiqet të provokojë një orientim të ri gjeopolitik të Shqipërisë që nuk ka më lidhje me SHBA dhe Evropën perëndimore.
Ky është rasti kur siguria kombëtare rrezikohet nga lidershipi politik i një vendi.

I njëjti problem është dhe në Kosovë. Ata që u vranë për lirinë e Kosovës dhe ata që shtruan rrugën e pavarësisë së saj, ja arritën pasi në themel të projektit të tyre vunë liritë njerëzore që garanton sistemi demokratik i Perëndimit. Dhe e fituan atë betejë në emër të perëndimit. Cdo përpjekje për të krijuar lider të fort dhe autoritar në Kosovë, që injoron perëndimin dhe standardet e tij demokratike, përfshi dhe diskriminimin pozitiv të pakicave në Kosovë, është në fakt një përpjekje kundër sigurisë kombëtare të shqiptarëve.
Liria e shqiptarëve është e garantuar vetëm si liri që vjen nga perëndimi. Iluzione se liritë etnike sjellin liri njerëzore është i rremë. Liritë etnike shpesh herë janë kurthe të ndyra diktaturash në emër të kombit. E vetmja liri që barazon qytetarët pa dallim feje e etnie, është lira që vjen nga Perëndimi.

Ndaj shoqëritë shqiptare në Tiranë dhe Prishtinë, janë të “dënuara” të jenë demokratike dhe properëndimore. Shqiptarët nuk ja dalin dot të bjën shtet diskriminuese për qytetarët e vet apo pakicat brenda tyre, pasi humbasin modelin i cili garanton sigurinë e tyre kombëtare. Shoqëritë shqiptare janë të sigurta de të bashkuara vetëm si shoqëri të lira.

Ndaj 28 nëntori është një ditë për të na përkujtuar se armiqtë tanë nuk janë vetëm ata që na pushtojnë po dhe ata që na sundojnë. Mos i lejoni ata të jenë antiperëndimor dhe antidemokratikë, pasi si të tillë janë thjeshtë antishqiptarë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN