Gjermania luan këtë të enjte ndeshjen vendimtare për të në Katar 2022. Përfaqësuesja e drejtuar nga Hansi Flick luan përballë Kosta Rikës shansin e fundit për të vazhduar më tej në Kupën e Botës, ku ka vetëm një pikë në grup pas humbjes me Japoninë dhe barazimit me Spanjën.
Sfida e gjermanëve do të jetë historike, për faktin e thjeshtë se për herë të parë, FIFA i ka besuar një tresheje gjyqtaresh femra për të drejtuar një sfidë të Kupës ë Botës.
Francezja Stefani Frapar do të jetë gjyqtarja kryesore e duelit, me asistente brazilianen Neuza Bak dhe meksikanen Karen Diaz Medina. Francezja Frapar u bë gjyqtarja e parë që drejton një ndeshje meshkujsh në Ligën e Kampioneve, si dhe e para që drejton një ndeshje kualifikuese të Kupës së Botës.
Por që nga e enjtja, emri i saj do të mbetet përgjithmonë në histori si e para që drejton një ndeshje në fazën finale të një turneu të tillë. Një tjetër risi e këtij Botërori është numri i paktë i kartonëve të kuq, vetëm një i tillë deri më tani.