MENU
klinika

"Vazhdoni me vendosmëri procesin e anëtarësimit"

Presidenti gjerman viziton Maqedoninë e Veriut

30.11.2022 - 11:20

Me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake presidenti Stevo Pendarovski priti presidentin e Republikës Federale të Gjermanisë, Frank Walter Steinmeier, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut. Dy presidentët në takimin sy më sy, kanë biseduar për raportet bilaterale, për luftën në Ukrainë dhe krizën ekonomike.

Presidenti Stevo Pendarovski deklaroi se nga homologu i tij gjerman ka marrë mbështetje edhe për rrugëtimin e vendit të tij në BE.

“Kjo vizitë ka vlerat e saj sepse po ndodh në një kohë kur po ballafaqohemi me një luftë në hapësirën evropiane. Në këtë periudhë senzitive kemi nevojë të patjetërsueshme nga aleatët e mëdhenj, një ndër to është Gjermania. Biseduam dhe për integrimin në BE, që është edhe qëllimi ynë kyç. Në këtë drejtim morëm mbështetje të pakontestueshme nga Gjermania. Në aspektin ekonomik, Gjermania mbetet një nga aleatët tanë më të mëdhenj”, ka thënë Pendarovski.

Steinmeier: Mbështesim integrimin e RMV-së në BE, por duhet të vazhdohet me reformat

Presidenti i Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier në Shkup ka thënë se Gjermania mbështet fuqishëm integrimin e Maqedonisësë Veriut  në Bashkimin Evropian, por përkujtoi edhe në realizimin e reformave të brendshme.

“Është e rëndësishme që RMV-ja të vijojë me reformat e brendshme. Ky proces i reformave do të vijojë edhe se vendi juaj mund të llogaris edhe në mbështetjen e Gjermanisë. RMV-ja është pjesë e Evropës dhe anëtarësimi i saj do ta pasuroj edhe më tepër BE-në”, ka deklaruar Steinmeier.

Steinnmeier: Vazhdoni rrugën e nisur

Presidenti i Gjermanistë Frank Walter Steinnmeier iu është drejtuar me një fjalim edhe deputetëve të Parlamentit. Me këtë rast ai ka thënë se rruga për në Bashkimin Evropian është gjithçka tjetër veçse jo e lehtë, se negociatat e vështira dëmtojnë besimin dhe durimin dhe ndonjëherë edhe e mbingarkojnë atë. Por kërkesa e tij drejtuar deputetëve dhe të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut ishte:

“Vazhdoni me vendosmëri rrugën e procesit të anëtarësimit. Mos u ktheni në metrat e fundit. Këtu, në këtë Parlament, ju mund të bëni përsëri histori. Tani nuk është koha për t’u dhënë pas formulave të thjeshtuara dhe ngjyrimeve nacionaliste. Mos e humbisni qëllimin që keni ndjekur prej kaq kohësh, pranimin në BE, të cilin e keni synuar për shtatëmbëdhjetë vjet. Jam i sigurt se për rrugën  drejt Evropës ia vlen të hidhet hapi tjetër, i vështirë “, ka deklaruar Steinmeier.

Njerëzit do të jenë përfituesit kryesorë

Procesi i anëtarësimit në BE duhet të sjellë përmirësime konkrete për njerëzit e të gjithë Ballkanit Perëndimor. Kjo kërkon reforma politike dhe ekonomike si dhe reforma në gjyqësor nga të cilat njerëzit përfitojnë në jetën e tyre të përditshme. Maqedonia e Veriut është në rrugën e duhur, ka thënë Steinmeier.

Anëtarësimi në BE do të hapë dyert për qytetarët e Maqedonisë së Veriut në tregun e përbashkët evropian, në bllokun më të madh tregtar në botë. Besoj fuqishëm se marrëdhëniet intensive dypalëshe ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Gjermanisë do të vazhdojnë të marrin vrull.

“Maqedonia e Veriut është tashmë një lokacion i vlerësuar biznesi për më shumë se 200 kompani me kapital gjerman, të cilat janë ndër punëdhënësit më të mëdhenj këtu në vend, punësojnë rreth 20,000 njerëz dhe ofrojnë trajnime për shumë të rinj. Më shumë se 30 për qind e eksporteve të Maqedonisë së Veriut shkojnë në Gjermani”, është shpreh Shtajnmajer.

Gjatë qëndrimit në Maqedoninë e Veriut Steinnmeier do të shkojë të mërkurën në Çifte Hamam ku do të takohet me grupin e xhirimit të filmit “Toka e mjaltë”.Ai do të vizitojë edhe  Parkun e erës në Bogdanci, e pastaj kompaninë gjermane Drekselmaer në Kavadar. Pas vizitës në Maqedoninë e Veriut, Steinnmeier udhëton për në në Shqipëri. /DW

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Sinjal se Gjermania mbështet rrugën e Shqipërisë drejt BE"

Presidenti Federal Steinmeier pritet të vizitojë Shqipërinë

"Nëse bëjnë progres në vendin e tyre, atëherë..."

Presidenti gjerman, mesazh para vizitës në Shqipëri