MENU
klinika

Nga fjalimi në Kuvend te takimet me krerët e lartë të shtetit, zbardhet axhenda

Për herë të parë, Shqipëria pret nesër një President gjerman

30.11.2022 - 11:26

Për herë të parë në historinë e marrëdhënieve diplomatike post-komuniste, Shqipëria do të presë nesër në një vizitë zyrtare një President gjerman.

Më 1 dhe 2 dhjetor, përpara Samitit të liderëve të BE-së, Presidenti Federal FrankWalter Steinmeier do të vizitojë Shqipërinë. Sipas njoftimit të ambasadës gjermane në Tiranë, udhëtimi është një sinjal i mëtejshëm se Gjermania po mbështet dhe ndjek intensivisht rrugën evropiane të rajonit në tërësi dhe të Shqipërisë në veçanti.

“Kjo është hera e parë në 27 vjet që një president gjerman viziton Republikën e Shqipërisë. Presidenti Federal Steinmeier ka pasur mundësinë të njihej me Tiranën dhe të zhvillonte bisedime në detyrën e tij të mëparshme si ministër i Jashtëm. Programi i udhëtimit përfshin bisedime me Presidentin Bajram Begaj dhe Kryeministrin Edi Rama, si dhe një fjalë në Kuvend. Gjithashtu, është planifikuar një takim me nxënës/e nga Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, një diskutim mbi ballafaqimin me të kaluarën komuniste dhe një vizitë në një kompani gjermane, ku do të hidhet dritë mbi potencialet ekonomike dhe mundësitë këtu në Shqipëri.

Presidenti Federal është i lumtur që do mundë të njohë historinë dhe kulturën shqiptare gjatë një vizite në Berat, duke krijuar kështu një përshtypje mbi bashkëpunimin gjermano-shqiptar për zhvillim”, thuhet në deklaratë. Në Tiranë është planifikuar edhe një vizitë në Muzeun e Sigurimit “Shtëpia e Gjetheve”, një diskutim se si të përballemi me të kaluarën komuniste dhe një bisedë me nxënës nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Frank Walter Steinmeier nisi dje një udhëtim 4-ditor në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri. Steinmeier do të qëndrojë në Maqedoni të Veriut edhe sot, ku pjesë e axhendës ishin takimet me Presidentin Pendarovski dhe Kryeministrin Kovaçevski, si edhe një fjalim para Parlamentit. Vizita e Steinmeier, sipas faqes zyrtare të presidentit gjerman, fokusohet në situatën në rajon, ndikimin e luftës në Ukrainë dhe mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për perspektivat e anëtarësimit të vendit në BE.

“Fokusi i udhëtimit është situata në rajon, efektet e luftës së agresionit rus në Ukrainë dhe mbështetja e vazhdueshme e Gjermanisë për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian”, bëhet e ditur në një njoftim të presidencës gjermane. Dje, në Shkup Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, theksoi se rajoni i Ballkanit Perëndimor mbetet në axhendën evropiane, ashtu si edhe pritjet për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Ai përmendi se rëndësi të madhe për rajonin ka edhe bashkëpunimin mes shteteve në kuadër të Procesit të Berlinit duke përmendur marrëveshjet e arritura.

“Mendoj se udhëtimi me karta identiteti, njohja reciproke e diplomave shkollore dhe universitare, gatishmëria e BE-së për të ndihmuar në problemet energjetike, paraqet një progres të rëndësishëm dhe etablimin e rajonit në një treg të përbashkët”, tha Presidenti gjerman. Frank-Walter Steinmeier bëri të qartë se rajoni i Ballkanit Perëndimor mbetet në axhendën europiane, ashtu si edhe pritshmëritë për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Pas takimit me Presidentin maqedonas, Stevo Pendarovski, kreu i shtetit gjerman e bëri të qartë se integrimi evropian i vendit është i arritshëm. Ai nuk dha ndonjë afat për këtë, por theksoi nevojën e zbatimit të reformave të domosdoshme për anëtarësim në BE.

Sa për çështjen e Kosovës, ai e vuri theksin te fakti që plani i cili mund të çojë përpara marrëdhëniet dypalëshe, është farkëtuar në Berlin e Paris.  “Sa i përket marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, mund t’ju them se i gjithë Bashkimi Europian është i interesuar që të mbërrijë sa më shpejt normalizimi i relatave mes tyre. Për këtë janë bërë edhe propozime. Gëzohem që propozimi gjermano-francez tani ka arritur sukses dhe po pranohet. Kjo mund t’i inkurajojë palët që të vazhdojnë të bashkëpunojnë në këtë sferë”, u shpreh Steinmeier. Është hera e parë që Presidenti gjerman i viziton zyrtarisht Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, që kur erdhi në post më 19 mars 2017.

Ish-ministri i Jashtëm i Gjermanisë megjithatë e njeh mirë Ballkanin Perëndimor. Për dy periudhat që ka qenë ministër i Jashtëm, ai e ka rikthyer vazhdimisht rajonin në axhendën e punës së tij. Vite më parë me datë 3 shkurt në vitin 2010 ishte në Tiranë për një vizitë pune njëditore presidenti i Bundestagut gjerman, Norbert Lammert. Personaliteti i lartë i legjislativit gjerman zhvilloi takime politike atëherë me ish-kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Gjithashtu, Lammert mori pjesë edhe në hapjen e zyrës së fondacionit “Konrad Adenauer” në Tiranë. Kjo nuk është hera e parë që presidenti i Bundestagut vizitoi Shqipërinë. Ai ka qenë edhe në vitin 2008, ku madje ka mbajtur një fjalim në seancë plenare para deputetëve shqiptarë. Ish-kryeparlamentarja Topalli e ka cilësuar shpesh në fjalimet e saj të frytshëm bashkëpunimin mes parlamenteve të të dyja vendeve tona.

Lejuan personin e tretë misterioz në makinën e viktimave të largohej

Masakra në Dobraç/ Gjykata jep vendimin për 4 efektivët e “Shqiponjave”

“E gjithë Shqipëria në Tiranë!”

Berisha njofton protestën e radhës

Ministrja Manastirliu: Më shumë se një thesar fjalësh!

Prezantohet “Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe”