Kryetari i PD, Sali Berisha ka ftuar të gjithë shqiptarët që më 6 dhjetor në orën 12:00 të dalin në shesh për të protestuar kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Ish-kryeministri Berisha gjatë një takimi me banorë të njësisë 5 përgëzoi Samitin BE-Ballkani Perëndimor që do mbahet në Tiranë, duke thënë se nga ana strategjike kjo i jep një goditje fatale nismës ruse serbe të Ballkanit të Hapur.
Berisha po ashtu tregoi edhe dy anët e medaljes, e para ai tha se protesta e 6 dhjetorit duhet të merret nga liderët e BE si një përshëndetje për ta, ndërsa ana tjetër e medaljes është se opozita është në shesh për të protestuar kundër Ramës.
“Më datën 6 dhjetor mblidhen këtu në Tiranë të gjithë liderët e vendeve anëtare të BE dhe ato të Ballkanit Perëndimor. Ky është një nder për Shqipërinë është një përzgjedhje gjeostrategjike e një rëndësia historike, me të cilin Evropa i thotë Putinit se Shqipëria është territori ynë dhe harroni nëse keni ambicie të tjera
Ky samit në rrafshin strategjik është në interes madhor të shqiptarëve dhe i jep një goditje fatale projektit të Vucic, Ramës dhe vasalit të tij në Shkup, projektit të Ballkanit të Hapur, një nismë ruso-serbe. Edhe në këtë kontekst samiti është shumë i mirëpritur.
Pse ne do jemi në datën 6 në protestë? Unë ftoj liderët e BE ta marrin këtë si një përshëndetje dhe nderim ndaj tyre dhe vlerave të tyre. Por kjo është njëra anë e medaljes. Ana tjetër është se ne jemi në shesh për të protestuar kundër armikut të betuar, Edi Ramës dhe regjimit të tij. Këtu nuk fshehim asgjë, përkundrazi ne dalim më datën 6 për ti thënë liderëve të BE se ky nuk përfaqëson popullin shqiptar dhe se ky është armik i demokracisë, armik i votës së lirë. Në tërë historinë të ardhmen e shqiptarëve nuk e ka vjedhur më barbarisht se Enver Hoxha dhe Edi Rama. Më 6 dhjetor ai që i thotë vetes shqiptar, ai që e ndjen veten shqiptar, ai nuk mund të jetë askund tjetër vetëm në protestë kundër Ramës dhe klikës së tij në pushtet”, tha Berisha.