Franca tregon edhe njëherë tjetër forcën dhe potencialin, duke mposhtur 3-1 Poloninë dhe kalon më tej në turin çerekfinal. Një sukses mëse i merituar i kampionëve të botës, që edhe njëherë tjetër iu fal yjeve të saj.
Pjesa e parë ishte një nga më të bukurat jo vetëm për Francën, me raste shënimi të shumta. Kampionët e botës provuan me Tchouameni, Dembele, Mbappe dhe Giroud. Ndërsa në të 20-ën vjen tentativa e parë e polakëve me Lewandowskin nga distanca, por jo në kuadrat. Franca insiston, por është Polonia që në 37’ mund të kishte shënuar, tre raste të njëpasnjëshme në harkun e pak sekonda.
Për të ardhur në minutën 44, kur Giroud shkëputet bukur në zonë dhe shënon. Një gol që e fut në histori, teksa bëhet shënuesi më i mirë në histprinë e Francës me 52 gola. I treti gol në këtë Botëror për Giroud. Fraksioni i parë mbyllet me një gjuajtje të polakëve, por pret Lloris.
Franca nuk e ul ritmin edhe në pjesën e dytë. Është Griezmann që provon me një goditje, por po kaq bukur i përgjigjet edhe portieri Szczęsny. 10 minuta më pas Giroud shënon një super gol me roveshatë, por arbitri më parë sheh një faull të Varane në zonën polake.
Për të ardhur në minutën e 74’, teksa pas një kundërsulmi të shpejtë, Mbappe realizon për 2-0. Por kampioni i botës nuk do të ndalej këtu, pasi në 91’ shënon edhe golin e dytë personal dhe të tretin për Francën. Pesë gola për Mbappe, kandidat për të fituar Këpucën e Artë të Botërorit.
Në fund ka penallti për Poloninë, gjuan Lewandowski, pret Lloris, por përsëritet, pasi portieri dhe lojtarët kanë lëvizur para kohe. Në tentativën e dytë Lewa nuk fal, mbyllet 3-1.