Aktivistja nga Kosova, Zana Avdiu shkoi kundër rrymës duke sulmuar Granit Xhakën për sjelljen në ndeshjen Zvicër-Serbi (3-2). “Akti i Granit Xhakës, është për turp. Akt prej një rrugaçi. Dhe, fatkeqësia është, që asnjë nuk la pa e shpërndarë atë foto. Pra, zero nivel”, u shpreh ajo në lidhje me momentin kur kapiteni zviceran reagoi ndaj pankinës serbe me gjestin e tij.
Fjalët e Avdiut nuk janë pritur aspak mirë nga Ragip Xhaka, babai i lojtarit shqiptar të kombëtares helvete. Ky i fundit deklaroi se djali i tij nuk ka bërë asnjë akt rrugaçërie dhe asnjë gjest politik apo shovinist.
“Nuk jam njeri i televizioneve dhe i kamerave. Jam njeri i sakrificës, i punës dhe i burgjeve. Desha asaj zonjës, Zanës, t’i tregoj se kush jam. T’i vijë turp që i del kundër Shqiptarisë, ajo nuk e di çfarë është sporti dhe çfarë është krenaria. I kundërvihet një djali që është me gjak shqiptari, që na bën të gjithë shqiptarëve krenarë. I thotë Granitit rrugaç! Po më vjen keq si një femër shkruan këtë fjali.
Më së pari të ma tregojë fjalën rrugaç. Asnjë fjalë nuk e dëgjova për thirrjet e Serbisë… Familja Xhaka nuk është dorëzuar asnjëherë ndaj pushtuesve. Graniti nuk ka bo gjest politik, as shovinist, as asgjë. Atë gjest nuk e ka bo as me fye dhe as me sha askënd.
Është turpi i saj t’i mbrojë ato teza të Serbisë. Graniti i tregoi botës që këta na kanë dhunuar nënat dhe vajzat tona, ata kanë dhunuar mbi 20 mijë gra shqiptare. Ajo është rrugaçja, kërkoj falje për këto shprehje, por ajo duhet të ketë kujdes kur flet për familjen Xhaka”, deklaroi babai i Granitit.
Në fund një mesazh për Avdiun: “Kujdes shumë kur flet për familjen Xhaka, do përgjigjesh në çdo mënyrë për ato që shkruan. Por, pastaj do jetë shumë vonë… “