Fitorja e Zvicrës ndaj Serbisë vazhdon të komentohet pafund. Granit Xhaka u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes, teksa nuk munguan ofendimet dhe përplasjet e mesfushorit me origjinë shqiptare me lojtarët kundërshtarë, si ata në fushe dhe të tjerët në stol.
Në fund të ndeshjes, kapiteni i Zvicrës festoi me fanellën e Ardon Jasharit, djaloshit të talentuar që u grumbullua me helvetët në Botërorin e Katarit. Xhaka deklaroi se i kishte premtuar 20-vjeçarit shqiptar nga Maqedonia e Veriut se do vishte fanellën e tij në fund të takimit.
Ndërkohë, kampioni i njohur i boksit, Robin Krasniqi, komentoi sherrin e mesfushorit me lojtarët serbë. Ai u shpreh se e kishte përjetuar me emocione fitoren e Zvicrës dhe paraqitjen e Xhakës dhe Shaqirit duke theksuar se edhe jetën do ta jepte vetëm të ishte në një moment në vend të Xhakës përballë 10 serbëve.
“Kam lind në atë vend, në Kosovë, dhe emocionet ishin shumë të mëdha gjatë ndeshjes. I kam parë me shumë emocion dhe kisha thënë se gjithçka në jetë do e jepja, vetëm të isha përballë shkive (serbëve)”, deklaroi 35-vjeçari nga Juniku.