Serbia u përball me Zvicrën në ndeshjen e fundit në fazën e grupeve të Botërorit. Një ndeshje plot tensione dhe emocione, që përfundoi me kualifikimin e “helvetëve” në fazën e 1/16-ave.
Mesfushori me origjinë shqiptare Granit Xhaka u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes, por gjithashtu ishte edhe protagonist në një zënkë të krijuar në fushë. Ai u lavdërua shumë nga të gjithë, përfshirë edhe trajnerin e Zvicrës, Murat Yakin.
Mirror raporton se Yakin e ka vlerësuar Xhakën si person me karakter duke përshkruar atë që ndodhi në ndeshjen ndaj Serbisë: “Jemi shumë të kënaqur që e kemi Granitin. Ai është një lider i mirë, merr vendime të mira.
Ka karakter, ne duam t’i shohim njerëzit e tillë në fushë. Lojtarët e vlerësojnë se ai është në gjendje të marrë përgjegjësi dhe është mirë për ne që jemi në gjendje të thërrasim njerëz të tillë. Dhe po, njerëzit kanë shkruar dhe diskutuar për atë që ka ndodhur. Po, ne fituam.
Po, ishte emocionale. Dhe emocionet mund të jenë të nevojshme gjatë një ndeshjeje të tillë. Do të kishte qenë e çuditshme sikur ai të kishte qenë pa emocione”, është shprehur Yakin.