MENU
klinika

"Luftoni krimin e organizuar dhe korrupsionin!"

Integrimi, Presidenti i KE-së: Bëni progres!

07.12.2022 - 11:10

Brukseli i kërkon qeverisë që të avancojë me reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Gjatë samitit të BE-së dje në Tiranë, Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, deklaroi se Shqipëria duhet të avancojë reformat për shtetin e së drejtës dhe të luftojë korrupsionin në mënyrë që të bëjë progres të mëtejshëm në procesin e integrimit të vendit në BE. Gjatë konferencës të përbashkët për shtyp me Kryeministrin Rama dhe Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, Michel bëri me dije gjithashtu se BE do të miratojë paketa ndihme shtesë për të ndihmuar Ballkanin Perëndimor nga pasojat që ka sjellë agresioni rus në Ukrainë. “Të gjithë kemi detyrat tona. Ka pritshmëri që reformat në shtetin e së drejtës, reforma në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit të avancojë. Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian duhet të forcojë tregun e përbashkët. Një prej këtyre është edhe marrëveshja për roaming.

Në vitin 2027 parashikohet të hiqen plotësisht detyrimet e roaming. Së fundmi progrese konkrete janë zhvilluar për të përballur agresionin rus në Ukrainë dhe pasojat në ekonomi dhe energji që ka sjellë kjo luftë”, theksoi Michel. Gjithashtu, ai shtoi se emigracioni është një temë sfiduese për të gjithë BE-në dhe theksoi se duhet të ndërmerren politika të përbashkëta për ta menaxhuar sa më mirë këtë situatë.

“Është shumë e rëndësishme të kemi një paketë financiare për të ndihmuar vendet e rajonit për t’u përballur me këtë situatë. Duhet të them disa fjalë për emigracionin. Është një temë sfiduese. Ne jemi përballur me rritjen e shifrave dhe ky bashkëpunim me Ballkanin Perëndimor është i nevojshëm për të gjithë ne. Duhet të merren vendime shtesë dhe të bëjmë progres të mëtejshëm për të menaxhuar së bashku këtë situatë”, tha ai.

ANGAZHIMET
Në përfundim të samitit BE–Ballkani Perëndimor në Tiranë, liderët pjesëmarrës firmosën dje një deklaratë të përbashkët ku dakordësohen për të bashkëpunuar në disa çështje. Në deklaratën përfundimtare, ata adresuan një sërë çështjesh, në të cilat duhet punuar unison. Deklarata nis me përfundimin se përshkallëzimi i luftës së Rusisë kundër Ukrainës po vë në rrezik paqen dhe sigurinë evropiane e globale, ndaj nënvizon rëndësinë e partneritetit midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

Njëkohësisht BE-ja ripohon angazhimin e saj të plotë ndaj perspektivës së anëtarësimit të BP dhe bën thirrje për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit, teksa po ashtu thotë se rajoni duhet të vijojë me zbatimin e reformave sidomos në luftën kundër korrupsionit dhe në drejtimin e një qeverisjeje të mirë, media të pavarur dhe liri shprehjeje.

Deklarata gjithashtu thekson se blloku mbështet përpjekjet e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së dhe të Përfaqësuesit Special të saj për Dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe për çështjet e tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor dhe presin progres konkret nga të dy Palët drejt një marrëveshjeje të plotë dhe ligjërisht detyruese për normalizimin e marrëdhënieve. Një përfundim tjetër i rëndësishëm është edhe paketa e re e BE-së e Mbështetjes për Energjinë, me një vlerë prej 1 miliard euro në grante të cilat mund të sjellin 2,5 miliardë euro në investime.

BE shprehet se kjo paketë do të ndihmojë Ballkanin Perëndimor të zbutë ndikimin e krizës energjetike. Sa i përket çështjes së emigrantëve, në deklaratë thuhet se kjo temë mbetet sfidë dhe përgjegjësi e përbashkët. Prandaj BE-ja ka miratuar një program të ri për forcimin e menaxhimit të kufirit me vlerë 40 milionë euro dhe po përgatit një program të dytë për rritjen e kapaciteteve për luftën kundër kontrabandimit të migrantëve dhe trafikimit të qenieve njerëzore, me vlerë 30 milionë euro. Liderët diskutuan edhe rritjen e sigurisë kibernetike, duke marrë parasysh sulmin që i është bërë Shqipërisë. Si arritje në fushën digjitale, BE përshëndet marrëveshjen për uljen e tarifave të Roaming.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"I kemi zhbllokuar të gjitha bllokimet e vendosura me pa të drejtë"

Kur Shqipëria do të jetë në BE?/ Përgjigjet Presidenti i KE

“Lufta kundër korrupsionit duhet të avancojë”

Presidenti i KE-së mesazh nga Tirana