MENU
klinika

Procedohen katër punonjës të OSHEE

Zbulohet një tjetër shtëpi bari, në pranga një grua

07.12.2022 - 11:25

Zbulohet një tjetër shtëpi bari në Malësi të Madhe. Policia e Shkodrës ka mësyrë në ambientet e një magazine, të përshtatura për të kultivuar bimë narkotike, me anë të llambave që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike. Në pranga ra 1 shtetase (pronarja e magazinës), teksa është proceduar në gjendje të lirë 1 shtetase tjetër (për shkak të gjendjes shëndetësore).

Shpallen në kërkim bashkëshortët e tyre (vëllezër), të 2 bashkëpunëtorë në këtë veprimtari kriminale.

Procedohen edhe 4 punonjës të OSHEE Malësi e Madhe, për shpërdorim detyre.

Ndërsa janë sekuestruar 90 bimë narkotike kanabis të kultivuara në vazo dhe pajisje të ndryshme elektrike.

NJOFTIMI
Strukturat e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, të DVP Shkodër, mbështetur dhe në inteligjencën informative, kanë organizuar dhe finalizuar fazën e 10-të të operacionit policor të koduar “Qarku”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetases F. V., 54 vjeçe, banuese në fshatin Jeran, Malësi e Madhe, si dhe nisi procedimi në gjendje të lirë, për shkak të gjendjes shëndetësore, për shtetasen M. V., 43 vjeçe, banuese në fshatin Jeran.

Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasi U. V., 61 vjeç (bashkëshorti i shtetases F. V.) dhe vëllai i tij, shtetasi Gj. V., 56 vjeç (bashkëshorti i shtetases M. V.), të dy banues në fshatin Jeran, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.

Këta 4 shtetas dyshohet se kanë bashkëpunuar më njëri-tjetrin, për të kultivuar bimë narkotike cannabis sativa, në një magazinë në pronësi të shtetases së arrestuar F. V., në fshatin Jeran, Malësi e Madhe.

Gjatë kontrollit në ambientet e magazinës, që furnizohej me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, shërbimet e Policisë kanë gjetur 90 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të kultivuara në vazo, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu, gjatë kontrollit u gjetën dhe u sekuestruan 24 llamba elektrike dhe pajisje të tjera elektrike, të cilat shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike, në këtë ambient.

Në vijim të veprimeve për këtë rast u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasit:

A. S., 23 vjeç, E. B., 37 vjeç, të dy banues në fshatin Gruemirë, I. D., 50 vjeç, banues në Koplik dhe F. D., 54 vjeç, banues në fshatin Bajzë, punonjës të OSHEE Malësi e Madhe.

Vijon puna për kapjen e 2 shtetasve në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.