Të lëna në mëshirë të fatit, tri motra me probleme të shëndetit mendor në Lezhë prej më shumë se 6 vitesh abuzohen seksualisht në mënyrë sistematike.
Historia e tyre nis në vitin 2016, periudhë kur u nxorën nga një qendër sociale të personave me aftësi të kufizuar, me argumentin se ishin në moshë madhore për trajtimin në atë qendër.
Prej asaj kohe, tre motrat të moshës 38, 40 dhe 42-vjeçare, i sheh në çdo orë të ditës në qytet dhe abuzohen nga persona të ndryshëm, madje kanë sjell në jetë dhe fëmije.
Njëra nga motrat ka lindur 2 fëmijë dhe është sërish në muajin e 7 të shtatzënisë dhe tjera 1 fëmijë, të cilët janë dërguar në një qendër jetimore në Elbasan.
ÇFARË THOTË E ËMA
Nëna e vajzave, e cila dhe ajo ka probleme të shëndetit mendor, thotë se fëmijët e saj po abuzohen nga persona të ndryshëm kundrejt parave.
“Shkojnë me djem dhe burra, edhe më të moshuar për 100-200 lekë. Më parë, këta vinin edhe në shtëpi, por tani ikin në vende të tjera. Nuk janë vetëm nga Lezha. Njëra nga vajzat ka lindur dy fëmijë, vajzën 4 vjeçe dhe djalin 3 vjeç, por ato janë dërguar në jetimore. Tani e kam vajzën prapë shtatzënë 7-muajshe”, thotë nëna.
APELI PËR GRATË
Xhaxhai i vajzave të abuzuara ka bërë denoncim në Polici, ndërsa kërkon që të gjendet një zgjidhje me qëllim që të hiqen nga rruga.
“Tre vajzat kanë dalë nga qendra në vitin 2016, pasi kanë qenë në moshë madhore. Kujdestarinë e tyre nuk e ka marrë askush. Qendra i ktheu në rrugë, pasi ato dolën nga atje. Kur erdhën në familje, abuzimi i parë ndodhi me vajzën e dytë. Ato nuk tregonin, por ne e kuptuam kur kishte mbetur shtatzënë. Unë kërkova të ndalonte shtatzëninë, por nuk është ndërmarrë asnjë veprim. Një person mbi 70 vjeç ka abuzuar me një nga vajzat. Kjo video është bërë virale në rrjete sociale. Ai u dënua me 3.4 vite burg. Kam shkuar disa herë në polici, por më kanë thënë: “Kemi halle të tjera, krime të tjera”, thotë xhaxhai.
INSTITUCIONET S’KANË ZGJIDHJE
Institucionet përgjegjëse si Shërbimi Social Shtetëror, por dhe Bashkia Lezhë janë në dijeni të këtij skandali, por në këto 6 vite kanë dështuar për t’i dhënë zgjidhje, ndërsa në vazhdimësi ia pasojnë “topin” njëra-tjetrës.
Viktima të abuzimit seksual të trija motrat janë lënë pa kujdestari ligjore, ndërsa në 6 vite abuzime, dënimi është dhënë vetëm për një 75- vjeçar.
Në vitin 2019, i moshuari u dënua nga Gjykata e Lezhës me 3.4 vite heqje lirie për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me persona të paaftë për t’u mbrojtur”. Gjithçka u zbulua nga një video në rrejte sociale, ku i moshuari abuzonte me vajzën prapa një dyqani, ndërsa për rastet e tjera të abuzimit nuk janë arritur të zbardhen.