MENU
klinika

Tjetërsimi i pronave në bregdet

Gjykata e Lartë rikthen në “Arrest shtëpie” biznesmenin (foto+emri)

08.12.2022 - 11:46

Disa muaj pas arrestimit dhe lirimit të një biznesmeni në Vlorë në lidhje me tjetërsimin e pronave në bregdet, Gjykata e Lartë ka vendosur ta rikthejë Helidon Gjikokën në masën e sigurisë “Arrest shtëpie”.

Vendimi është dhënë nga treshja gjykuese Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sandër Simoni, të cilët kanë rrëzuar vendimin e dhenë nga Gjykata e Apelit të Vlorës, e cila caktoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.

Në këtë mënyrë, Gjykata e Lartë lë në fuqi vendimin e dhënë nga Gjykata e Vlorës më 4 maj të këtij viti.

DOSJA
Ka qenë Gjykata e Tiranës, e cila në tetor të vitit 2020 ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” ndaj Gjikokës, duke e shpallur atë në kërkim. Pas këtij vendimi, dyshohet se 48-vjeçari u largua jashtë vendit, duke u rikthyer këtë vit në qytetin e Vlorës, ku edhe iu vendosën prangat më 11 mars.

Ndaj tij ka bërë kallëzim në Prokurorinë e Tiranës shtetasi I. K., 52 vjeç, banues në Gjilekë, Himarë, duke pretenduar që Gjikoka “si punonjës i ASHK-së Vlorë, ka falsifikuar disa dokumente për një pronë në Himarë, me anë të mashtrimit, ka nxjerrë lejen e legalizimit në emrin e tij dhe ka filluar të ndërtojë në këtë pronë”. Bëhet fjalë për një sipërfaqe toke prej 1430 m2 në një nga zonat më të bukura të bregdetit shqiptar.

Historia daton pak vite më parë, kur Gjikoka bashkë me zyrtarë të tjerë në zyrat e pronave në Vlorë ka ndryshuar pronësinë e një kompleksi turistik, duke përdorur vetëm një kontratë qiraje. Bëhet fjalë për kompleksin turistik “Ambel Beach”, hipoteka për të cilin është marrë nga Gjikoka më 28 janar të vitit 2019.

Një vit më vonë, pronari i kompleksit e kallëzoi atë në Prokurorinë e Tiranës, ndërsa në mars të vitit të shkuar, u morën të pandehur 8 zyrtarë të ALUIZN-t në Vlorë. Pas këtij vendimi, Prokuroria e Tiranës kërkoi sekuestrimin e kompleksit në bregdetin e Gjilekës në Himarë. Ndër të tjera, u bllokua edhe ndërtimi prej 451 metra katrorësh brenda kësaj hapësire toke.

Gjikoka, siç thuhej në dosje, kishte arritur nëpërmjet falsifikimeve t’i tjetërsonte pasurinë e kushëririt të tij, I. K.

Sipas hetimeve të Prokurorisë, kontrata noteriale e qirasë ishte nënshkruar më 27 shtator të vitit 2018 me përfaqësues avokatin Ariton Kasaj, i cili ka nënshkruar në emër të pronarit të hotelit, I. K. Kjo kontratë, sipas Prokurorisë, humb fuqinë në 31 gusht 2021 dhe se Helidon Gjikoka duhet të linte objektin.

Por hetimi i kryer nga ana e Prokurorisë së Tiranës ka zbuluar se Helidon Gjikoka, 7 ditë para firmosjes së kontratës së falsifikuar me avokatin Kasaj, në 20 shtator 2018 çuditërisht është pajisur me certifikatë legalizimi.

Ndërkohë, më 28 janar të një viti më vonë, Gjikoka është pajisur me vërtetim hipotekor nga ASHK-ja në Vlorë. Mësohet se ai ka punuar gjithashtu në këtë institucion deri në vitin 2020.

Në dokument thuhet se “… pas verifikimit të kryer në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës Vlorë, ka rezultuar se në rrethana ende të paqarta, e gjithë pasuria që më parë ishte në pronësi të kallëzuesit Ilir Koka, në bazë të lejes së ndërtimit, rezulton në emër të palës së kallëzuesit Helidon Gjikoka”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Tjetërsimi i tokave në Dhërmi

Gjykata e Vlorës pushon çështjen e bujshme


Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin