MENU
klinika

Mero Baze

Përse do t’i jetë mirënjohëse Shqipëria ambasadores Yuri Kim?

09.12.2022 - 20:36

Mero Baze

Sali Berisha po vazhdon përpjekjet e tij spekulative për të identifikuar problemin e tij si “person a non grata” për minim të demokracisë dhe korrupsion madhor familjarisht nga SHBA, si një çështje të raporteve të tij me ambasadoren aktuale të SHBA në Tiranë Yuri Kim. Përpjekja e tij për tu dukur si i lehtësuar që ambasadorja Yuri Kim përfundoi mandatin e saj, është një përpjekje qesharake për të gënjyer edhe disa muaj mbështetësit e tij që tani kanë qejf vetëm që të gënjehen, për të mos u përballur me problemin e tyre të përjetshëm, atë të pasjes së kryetarit të tyre si person “a non grata” nga SHBA dhe Britania e Madhe.

Për ta bërë dhe më të besueshëm mashtrimin e tij, ai rrahu gjoksin se ka pas në dorë të bënte dhe protesta të mëdha paqësore kundër Yuri Kim, por nuk e ka bërë këtë nga respekti për SHBA dhe lufta në Ukrainë.

Së pari duhet të theksojmë se Sali Berisha nuk është shpallur “a non grata” prej ambasadores Yuri Kim, por nga një proces disa vjecar i qeverisë amerikane me dosje që datojnë nga viti 1994, për gjithë veprimtarinë e tij dhe familjes së tij si një familje e korruptuar dhe si një politikan që ka minuar demokracinë në Shqipëri. Administrata vendimtare që ka vulosur dosjen e tij ka qenë ajo e Presidentit Trump dhe në të kane kontribuar gjithë administratat amerikane. Ambasadorja Yuri Kim është diplomatja me më pak merita në shpalljen e Sali Berishës “non grata” dhe me siguri ndjehet e përkëdhelur që Berisha ja vë asaj gjithë meritat, që ndoshta do të donte ti kishte.

Së dyti paralajmërimet e Sali Berishës për protesta denigruese kundër ambasadores, në të vërtet kanë ndodhur, jo vetëm ndaj kësaj ambasadoreje por kundër disa prej ambasadorëve amerikan në Shqipëri. Sali Berisha ka organizuar protesta agresive kundër ambasadores Mariza Lino në vitin 1997, duke djegur flamurin amerikan para PD ndërkohë që ajo shkoi të takonte atë në zyrën e tij.

Më pas Sali Berisha ka organizuar në vjeshtën e vitit 2000 protesta të përditshme “kundër guvernatorit amerikan në Shqipëri Jozef Limpreht”, ish ambasador i SHBA në atë kohë në Tiranë, për shkak se e fajësonte atë si bashkëpunëtorë në arrestimin e tij nga Ilir Meta në ngjarjet e vitit 2000 në Tropojë, që pasuan djegien e komisariatit dhe dhunën mbi policinë atje.

Një sër reagimesh denigruese ka pasur publikisht ndaj ambasadorit të SHBA Withers, për shkak të qëndrimeve të tij publike për hetimin e masakrës së Gërdecit ku ishte i përfshirë djali i tij, dhe më pas sulme publike ndaj ambasadorit Arvizu dhe ambasadorit Donald Lu. Yuri Kim është e fundmja e ambasadorëve amerikan të sulmuar nga Sali Berisha në Tiranë, me një gjuhë të shfrenuar dhe histeri kolektive, që turpëron Partinë Demokratike dhe mbështetësit e saj si forca e parë antikomuniste e Shqipërisë.

Në historinë e vendeve ish komuniste, rasti i Partisë Demokratike në Shqipëri, është rasti i vetëm ku një parti antikomuniste është në betejë 30 vjeçare me gjithë diplomatët amerikan në vend për shkak të halleve të një njeriu, që është uzurpatori i saj si kryetar. Dhe ky është rasti i Sali Berishës.

Së treti dhe që është më e rëndësishmja sa i përket rolit të ambasadores së SHBA në Tiranë, nuk ka asnjë rast të vetëm që SHBA , qeveria apo presidenti i saj të jenë distancuar nga veprimtaria e ambasadores në Tiranë. Përkundrazi ata kanë qenë mbështetës të fort të saj në një periudhë dramatike për SHBA në Shqipëri, ku për herë të parë gjatë tredhjet viteve, antiamerikanizmi i frymëzuar nga Sali Berisha ndryshoi imazhin e Shqipërisë si vend me një celulë antiamerikane.

SHBA nuk e ka problem antiamerikanizmin në çdo vend të botës ku është e pranishme. Madje ka vende që e kanë ideologji të qenit antiamerikanë. Shqipëria bënte përjashtim se ishte vendi ndoshta më proamerikan në botë, për shkak të historisë së saj me SHBA.

Ambasadorja Yuri Kim pati fatin të përballet me këtë valë antiamerikane frymëzuar nga Sali Berisha, jo për shkak të saj, por për shkak të qartësisë që ka politika amerikane për të identifikuar faktorët antiperëndimorë në vendet ku ajo ka influencë dhe lidhjet kriminale të këtyre personave që rrezikojnë rendin demokratik dhe standardet e një vendi të lirë.

Sali Berisha është përdhunuesi publik i gjithë ambasadorëve amerikan në Shqipëri këto 30 vjet, dhe njeriu që ka zhvilluar një betejë të pashembullt, ta pandershme, të pafytyrë dhe të papranueshme nga shqiptarët me ambasadoren Yuri Kim.

Për këtë arsye ambasadorja Yuri Kim, është diplomatja me më shumë merita në historinë e diplomatëve amerikanë në Shqipëri, pasi asaj i ra të ndeshej me një front antiamerikan në vendin ku çdo amerikan e quante shtëpi të tij. Dhe kjo fal Sali Berishës.

Qartësia dhe vendimmarrja e ambasadores amerikane për të përballuar këtë agresion dhe për të mbrojtur vlerat amerikane në Shqipëri, nuk shikohet vetëm në qëndrimet e saj kundër Sali Berishës, por në identifikimin e çdo faktori tjetër të dizajnuar si “non grata” në SHqipëri, përfshi dhe bashkëpunimin e tyre politik në të dy krahët kundër SHBA.

Por për fat të keq Sali Berisha nuk është as në nivelin e perosnave të tjerë dizajnuar “non grata” si ai, që kanë parë punët e tyre dhe kanë pranuar vendimin e SHBA, duke u tërhequr formalisht nga politika. Ai vazhdon përpjekjet për të mashtruar demokratët, për ti mbajtur peng si talibanët kundër SHBA, duke gjetur lloj lloj arsyetimesh, herë Lulzim Bashën, herë ambasadoren Yuri Kim, herë Sorosin, e herë ambasadorin britanik, që po ashtu e quan përgjegjës , pse e ka futur në listën e zezë, qeveria e djathtë e Britanisë së Madhe.

Kjo është një lojë banale, që mund të vazhdoj të mashtroj dhe disa muaj e ndoshta një apo dy vjet ata që i shkojnë nga pas, por jo shqiptarët dhe kurrsesi SHBA dhe Britaninë e Madhe që e dinë se çfarë bëjnë në Shqipëri.

Sali Berisha dhe familja e tij janë të dënuar të përjetshëm për korrupsion dhe minim të demokracisë në Shqipëri. Ata nuk kanë asnjë perspektivë politike dhe aq më pak shtetërore. Merita e vetme që ka ambasadorja Yuri Kim në këtë histori, është që ka ditur ti qëndroj besnik vendimeve të qeverisë saj dhe të përpiqet tua bëj të qartë shqiptarëve se SHBA nuk e identifikon Sali Berishën, as me Shqipërinë dhe as me PD. Ajo ka qenë dhe është po aq e rrepte me qeverinë socialiste dhe personat nga krahu i saj të shpallur në të njëjtën listë.

Sali Berisha e di më mirë se kushdo tjetër këtë gjë. E di mirë se çfarë ka bërë dhe çfarë ka në dosjen e tij që nga vitii 1994 e në vazhdim. Ai e di se ka hyrë në listën e zezë të SHBA dhe Britanisë së Madhe si një politikan që ka promovuar vlerat antiperëndimore në Shqipëri. Ai e di mirë se askush nga pasardhësit e Yuri Kim nuk do ta takoj dhe nuk do ta rehabilitojë.

Por si njeri i dëshpëruar ai nuk ka më skrupuj që të mendoj se çfarë do të thotë pas dy vitesh, apo pas një viti, ashtu sic nuk ka sot skrupull të thotë sot, çfarë u bë me gjyqin në Francë kundër Sekretarit Blinken. Ai është një mashtrues ordiner, që ka luftë me kohën e pamjaftueshme që i ka mbetur edhe fizikisht të rregullojë historinë e tij. Dhe këtë përpiqet ta kompensoj me shpifje dhe fyerje ndaj ambasadorëve të SHBA në Tiranë, që kanë tridhjet vjet që e listojnë si minues të demokracisë dhe si politikan i korruptuar.

Yuri Kim mund të ik nga Shqipëria e qetë, pasi i mjaftojnë për dekoratë, tërbimi dhe fyerjet e Sali Berishës ndaj saj dhe SHBA. Kjo është e vetmja provë që ajo e ka përfaqësuar me dinjitet SHBA në Shqipëri, ndërsa Sali Berisha është e vetmja provë, që fronti antiamerikan është në krizë në Shqipëri, pasi përfaqësohet nga dikush, që ka qëllim si ta mbyll jetën duke gjetur çdo ditë nga një gënjeshtër për krimet e tij.

Shqiptarët do ta mbajnë mend ambasadoren Yuri Kim, jo si njeriun që futi Sali Berishën në listën e zezë, pasi aty ka hyrë vetë, me veprimtarinë gati 30 vjeçare kundër SHBA, por si ambasadoren që duke ruajtur integritetin e saj dhe qeverisë së saj, e bëri Sali Berishën qesharak në pleqëri.

Nderi madh që duhet t’ia quajmë asaj, është, që armikun më të egër të SHBA, e bëri njeri qesharak, çka i bën shqiptarët të mos identifikohen me të, përveç çmendinës së tij. Dhe ky është një nder që ja ka bërë në rradhë të parë Shqipërisë, të cilës do ti mbetej njollë nëse një politikan normal do të udhëhiqte frontin antiamerikan të Shqipërisë. Pastaj dhe SHBA.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Një parti s’mund të hajë bar për hir të një deputeti"

Sinjali për Berishën! Yuri Kim ultimatum Bashës: PD duhet ta mendojë mirë

"Shqipëria ka mbijetuar prej SHBA-së"

Kryetari i Kuvendit pret ambasadoren Yuri Kim