MENU
klinika

Klientët blejnë “në ajër”

Kush po investon te Porti i Durrësit?

10.12.2022 - 10:41

Pa dalë leja e ndërtimit dhe kur asnjë metër kub beton nuk është hedhur ende për nisjen e ndërtimit për projektin e Portit të Jahteve dhe Marinës në Durrës, qytetarët kanë nisur të blejnë “ajrin”.

Vetëm pak ditë pas miratimit me urgjencë në Parlament nga mazhoranca të projektit të Portit të Durrësit, i cili u bë kryefjalë e debatit politik e akuzave të shumta të opozitës drejtuar Kryeministrit Edi Rama për korrupsion në zyrën qendrore në qytetin e Durrësit, ka nisur shitja e apartamenteve. Ndërkohë që presim që të hidhen para për këtë projekt të ri, duket se paratë po merren nga xhepat e shqiptarëve.

Të interesuarit kanë nisur prenotimin e banesave, çmimet e të cilave janë marramendëse të ngjashme me ato të zonave më të kërkuara në Tiranë. 1800 deri në 3 mijë euro për metër katrorë variojnë çmimet e banesave ende të pandërtuara në këtë zonë, ku vlera e një apartamenti 60 metra katrore shkon deri në 110 mijë euro, ndërsa për apartamentet më të mëdha kapin vlerën deri në 1.2 milionë euro. Sipas drejtuesve të zyrës së shitjeve, apartamentet e dy objekteve të projektit të cilësuar më korruptivi në Evropë, janë shitur plotësisht nga blerës kryesisht të huaj.

“Për sa i përket pjesës së çmimeve është e vërtetë, për momentin fillon nga 110 mijë euro deri në çmime më të larta. 110 apartamentet e para është hapur sot në 8 të mëngjesit dhe janë sot drejt përfundimit. Po shohim një ‘boom’ kërkesash nga shtetas të huaj të cilët kanë shprehur një interes të madh”, deklaron agjenti i shitjeve.

Të huajt mesa duket kanë më shumë lehtësi të blejnë këto apartamente në Marina Port, ndryshe nga shqiptarët për të cilët realiteti është shumë ndryshe. Ata thonë se e kanë të pamundur të paguajnë kaq shumë për apartamente ndaj dhe nuk kanë shprehur interes për blerjen e tyre.

“Për rrogat që janë në Shqipëri çmime të shtrenjta duhet të punojmë shumë vite si familje për të blerë një apartament. Dëshira është e madhe, por duhet të rrimë me këmbë në tokë, por është e pamundur. Për shqiptarët tarifat duket të papërballueshme, por shoh që ka shumë të huaj. Na habit fakti që shumica janë të shitura pa nisur akoma puna për ndërtim”, shprehen qytetarët. Leja për projektin e cilësuar si afera korruptive më e madhe e 30 viteve të fundit parashikohet të merret brenda 3 muajve të ardhshme dhe më pas do të nisin punimet.

Kujtojmë që vetë Kryeministri Edi Rama nuk ka firmosur në marrëveshjet e qeverisë me kompaninë që do realizojë projektin dhe as mori pjesë në procesin e votimit në Kuvend në projektin 2.1 miliardë euro që vetë ai e ka mburrur shumë dhe kundërshtuar akuzat e opozitës.

AKUZAT
Opozita ka hedhur akuza të forta për projektin e Portit të Durrësit, duke e konsideruar si aferën më të madhe korruptive të bërë ndonjëherë nga qeveria shqiptare. Sipas PD-së, gjithçka për këtë projekt është bërë në mungesë të transparencës dhe në kundërshtim me kushtet e Bashkimit Evropian, ndërsa qeveria nuk po nuk mbron interesin kombëtar, por të një kompanie “offshore” që nuk i dihen as pronarët.

“Shqiptarët në këtë investim të madh japin pasuri të madhe, Portin e Durrësit, pasuria më e çmuar për të gjithë rajonin. Është pasuria më e vyer dhe e vlefshme e të gjithë rajonit. Kanë të drejtë shqiptarët të interesohen dhe të mbrojnë pasurinë e tyre.

Si u identifikua ky investitor. Duhet të ketë transparencë. Kushtetuta shqiptare parashikon që kur shteti shqiptar bëhet pjesë i një marrëveshje ndërkombëtare, marrëveshje stabilizimasociim, përderisa ky vend ka vendosur të orientohet drejt Brukselit, ata kanë vendosur një kusht të thjeshtëbëhuni joshës për investitorë, por ama do duhet që në çdo rast duhet për të hequr çdo dyshim për shpërdorim të pronës publike, duhet të vendosni garë.

Cila është arsyeja që në vitin 2021, statusin e investitorit strategjik ja dhatë një kompanie që ishte regjistruar në ishujt Kajman. E vetmja gjë, strategjike e këtij investimi, është strategjia e zhvatjes së pasurive publike dhe vjedhjes, me kuç e me maç, të pronave të patundshme të Republikës së Shqipërisë.

Qeveria do të japë mijëra hektarë tokë në bregdet dhe do të përfitojë 250 mijë euro në vit. Ky projekt mund të përdoret për të përfituar ‘Pasaportat e Arta’”, janë disa nga akuzat e PD-së për qeverinë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN