Banorët e fshatit Kërçisht i Epërm në Dibër janë mbledhur këtë të shtunë për të kundërshtuar marrjen e një burimi uji që buron në malin sipër fshatit, për të furnizuar 15 mijë banorë të zonës së Maqellarës.
Banorët ankohen se Bashkia nuk ka arritur një marrëveshje me ta, pasi ujin që pretendon bashkia të marrë për Maqellarën e përdorin për vaditje. Ato nuk lejojnë marrjen e ujit, pasi në 30 vjet bashkia nuk ka bërë asnjë investim.
Aktualisht 15 mijë banorë të Maqellarës furnizohen me vetëm 1 orë ujë në 24 orë. Bashkia ka bërë projektin dhe ka vendosur të marrë një ujë me rrjedhje nga mali, sipër fshatit Kërçisht i Epërm, por banorët pretendojnë se është uji i tyre dhe e përdorin për vaditje.
Këto burime përdoren nga tre fshatra për vaditje dhe për ujë të pijshëm, por edhe pse ka sasi të mjaftueshme, ato nuk lejojnë që uji të shkojë për furnizimin e Maqellarës dhe fshatrave poshtë. Bashkia kishte rënë dakord paraprakisht që gjatë tre muajve të verës uji të përdorej për vaditje, dhe pjesa tjetër të shkonte për ujë të pijshëm për Maqellarën.