Kryetari i partisë së Lirisë, Ilir Meta ka akuzuar qeverinë për pastrim parash sa i takon projektit të Portit të Ri të Durrësit. Ai tha se bëhej fjalë vetëm për shitje apartamentesh dhe jo për investim strategjik. Në një takim me strukturat e Partisë së Lirisë në Durrës, Meta se ekzistonte rreziku i ndalimit të lëvizjes së lirë në zonën Shengen pasi kushdo që blinte apartament në këtë projekt do të përfitonte nga ‘pasaportat e arta’, nismë kjo që BE e ka kundërshtuar haptazi.
“Projekti nuk është aspak strategjik por thjesht ndërtim pallatesh dhe apartamentesh sepse në fund rezultojnë të ndërtuar dy hotele dhe një marinë e vogël. Prona më e rëndësishme e vendit po falet për apartamente. Këto apartamente kanë filluar të shiten në ajër dhe në mënyrë spekulative.
Kemi të bëjmë me një skemë të pastër të pastrimit të parave. Megjithëse BE ka qenë i prerë lidhur me pasaportat e arta që rrezikon lëvizjen e lirë, marrëveshja e Edi Ramës thotë se kushdo që blen një apartament mund të marrë një pasaportë shqiptare dhe mund të lëvizë lirshëm në zonën Shengen”-tha Meta.
Kreu i PL shtoi se nuk kishte transparencë mbi këtë projekt dhe se sipas tij kjo bëhej për qëllimin e qartë për pastrimin e parave duke qenë se edhe Bashkimi Europian sipas tij ka deklaruar se një projekt i tillë binte ndesh me marrëveshjet e Shqipërisë me EMS.
“Përgjigjia është e qartë, kjo bëhet për të pastruar paratë e tij dhe të bandës së tij. Errësira është e plotë dhe e qëllimshme për këtë çështje madhore për t’i humbur Shqipërisë portin e mallrave dhe humbjen e rolit të saj si nga pikëpamja ekonomike po ashtu edhe nga ajo strategjike. Projekti është qartazi një pastrim gjigand parash. Shumë kompani përfshirë edhe atë gjermane i janë drejtuar parlamentit dhe i kanë bërë me dije se marrëveshja e Portit të Durrësit bie ndesh me marrëveshjet e EMS dhe se Shqipëria rrezikon të paguajë gjoba të majme”- u shpreh Meta.
Ai e mbylli takimin me strukturat drejtuese të partisë duke deklaruar se ora e llogaridhënies po afronte dhe se Durrësi do të kthehej në shinat e duhura.