Tensionet në veri të Kosovës janë komentuar edhe nga deputeti socialist, Pandeli Majko. Ai shprehet se Serbia ka filluar një “lojë” të vjetër në kushte të “reja” me Perëndimin. Përmes një postimi të bërë në rrjetet sociale, Majko thotë se nuk duhet nënvlerësuar asnjëherë dikush që ka mbivlerësim për veten, duke iu referuar Vuçiç.
REAGIMI I MAJKOS:
Serbia ka filluar një “lodër” të vjetër në kushte të “reja” me Perëndimin. Në veriun e Kosovës po zhvillohet “skenari” i Donbasit në Ukrainë. Asnjëherë, nuk duhet nënvlerësuar dikush që mbivlerëson veten. Në këtë rast, ai quhet Aleksandër Vucic!
Çfarë po ndodh në Veri të Kosovës?
Veriu i Kosovës është sulmuar në orët e vona të mbrëmjes me bombë të kontrolluar. Sulmet janë kryer ndaj patrullës së EULEX-t. Situatë dramatike është krijuar prej pak ditësh në Veri, me bomba, sulme me armë zjarri dhe mjete shpërthyese. Ndërkombëtarët kanë dënuar sulmin e paprecedentë të forcave KFOR, EULEX dhe policisë së Kosovës në veri duke shtuar se autorët duhet të thirren përpara drejtësisë për aktet e tyre.
Situata në veri ka qenë e tensionuar që nga fillimi i nëntorit, kur përfaqësues të komunitetit serb dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës në veri shkaku i vendimit të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar makinat me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës. Situata ishte qetësuar përkohësisht pas arritjes së një marrëveshje mes palëve kosovare dhe serbe në Bruksel. Por, zgjedhjet ishin planifikuar më 18 dhjetor dhe Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – kishte kundërshtuar mbajtjen e tyre. Të shtunën, presidentja Vjosa Osmani i shtyu ato për në prill të vitit të ardhshëm. Kurti tha se shtyrja e zgjedhjeve ishte për të mirën e komunitetit serb në veri në mënyrë që “ta krijojmë një hapësirë disamujore që të hiqet frika e të votohet lirshëm”.