Largimi i Tites nga Brazili ka hapur një gropë të madhe, ka ndezur rrjetin, pasi emri i pasuesit të tij pritet me interes të madh. Menjëherë pasi Tite njoftoi largimin, emri i parë që qarkulloi ishte ai i Pep Guardiolës, pa diskutim ëndrra e çdo tifozi brazilian, por njëkohësisht edhe opsioni më i vështirë, për të mos thënë i pamundur pasi spanjolli sapo rinovoi me Cityn deri në 2025.
Emri i tjetër që po qarkullon fuqishëm këtë periudhë është edhe Luis Enrique, i sapo shkarkuar nga Spanja. Së fundmi, sipas La Gazzetta dello Sport, në listën e dëshirave është edhe Jose Mourinho.
Mesa duket drejtuesit e federatës braziliane, ashtu si edhe tifozët, janë lodhur nga ideja për të prodhuar një futboll të bukur, një futboll sulmues, dëshirojnë Botërorin me çdo kusht, për këtë arsye po mendojnë të joshin një trajner që nuk ka humbur kurrë një finale, një trajner fitues si Jose Mourinho.
Jo vetëm Enrique dhe Morurinho, drejtuesit e Federatës braziliane po shqyrtojnë mundësinë për të joshur edhe Carlo Ancelottin. Tekniku italian më herët ka theksuar se Real Madrid do të jetë ekipi i tij i fundit, por ideja për të drejtuar 5 herë kampionët e Botës mund ta tundojë jo pak.