Hetuesit belgë kanë kontrolluar zyrat në Parlamentin Evropian në Bruksel të hënën, në një hetim për ryshfet nga Katari, vendi mikpritës i Kupës së Botës.
Presidentja e parlamentit, Roberta Metsola, paralajmëroi eurodeputetët se “demokracia është nën sulm”.
Policia belge ka arrestuar katër persona, mes tyre edhe zëvendëspresidenten e Parlamentit Evropian, Eva Kaili, një eurodeputete greke.
Katari ka mohuar akuzat, ndërsa eurodeputetët mblidhen sot (13 dhjetor) për të diskutuar për skandalin.
Prokurorët belgë thanë se para me vlerë rreth 600.000 euro u gjetën në shtëpinë e një prej të dyshuarve, 150.000 euro në banesën e eurodeputetes Eva Kaili dhe disa qindra mijëra euro babait të saj brenda një valixheje jashtë një hoteli në Bruksel ku ai po qëndronte me bashkëshorten e tij. Janë sekuestruar edhe kompjuterë dhe celularë.
Që nga e premtja, burimet e IT-së të 10 punonjësve të parlamentit janë “ngrirë” për të parandaluar zhdukjen e të dhënave të nevojshme për hetimin.
Katër të dyshuarit e arrestuar nga policia belge janë akuzuar për “pjesëmarrje në një organizatë kriminale, pastrim parash dhe korrupsion“, thanë prokurorët në një deklaratë të dielën.
Kaili, një eurodeputete për tetë vitesh, u pezullua nga detyra e saj si një nga 14 nënkryetaret nga presidenti i parlamentit Metsola.
Ajo është pezulluar gjithashtu nga Grupi i Socialistëve dhe Demokratëve në parlament dhe është përjashtuar nga partia e qendrës së majtë greke Pasok.
Prokurorët në Greqi thuhet se kanë ngrirë të gjitha pasuritë e Kailit.
Gjashtë persona u arrestuan të premten si pjesë e hetimit mbi akuzat se Katari korruptoi zyrtarët e BE-së për të fituar ndikim. Dy prej tyre u liruan më vonë.
Asnjë i dyshuar nuk është përmendur publikisht, por Kaili mësohet të jetë në mesin e atyre që janë paditur.
Tre të akuzuarit e tjerë janë të gjithë shtetas italianë dhe mes të akuzuarve është edhe partneri i eurodeputetes, Francesco Giorgi, i cili është asistent parlamentar.