MENU
klinika

Mbeti i vrarë gjatë grabitjes së Rinas

Bashkëshortes së Admir Muratajt i sekuestrohen pasuri me vlerë 2 milionë euro!

13.12.2022 - 13:27

Më shumë se tre vite pas vrasjes së Admir Muratajt pas një grabitjeje spektakolare të miliona eurove në Rinas, Prokuroria e Tiranës ka vendosur të sekuestrojë pasuritë nën zotërim të bashkëshortes së tij.

Janë rreth 2 milionë euro pasuri në pronësi të Albana Muratajt që janë vendosur nën sekuestro.

Prokuroria e Tiranës thotë se i ndjeri, është procedurar më parë për disa grabitje banesash, bankash, automjetesh, etj.

“Ky shtetas është autori i grabitjeve të bankave të nivelit të dytë në Shqipëri në vitin 2015-2017 dhe 2019 ku janë marrë një sasi e konsiderueshme parash, si dhe autori i grabitjes së parave në Aeroportin Rinas në vitin 2017 dhe 2019.

Nga analiza në tërësi e provave dhe akteve të administruara nga hetimi paraprak i këtij procedimi penal, si dhe çmuarjes se tyre me objektivitet, arrihet në konkluzionin se pasuritë e paluajtshme të shtetases A.A., dhe familjarëve lidhur me të, dyshohet përtej çdo dyshimi të arsyeshëm të bazuar në prova, se janë produkte të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, në të cilat ka qenë i përfshirë shtetasi A.N., vëllai i tij dhe ka rrezik që disponimi i lirë i tyre mund të rëndojë pasojat e veprës penale për të cilën është regjistruar ky procedim penal, duke u tjetërsuar ose transferuar tek të tretët”, thuhet në njoftim.

Organi i akuzës dyshon se pasuritë e krijuara nga shtetasja Albana Murataj dhe familjarët e saj janë të krijuara nga burime të paligjshme dhe nuk i përgjigjen nivelit të të ardhurave, si dhe nuk justifikohen me të ardhurat e realizuara edhe prej aktiviteteve tregtare të regjistruara ose punësimi i tyre me periudha të pjesshme.

PASURITË SE SEKUESTRUARA
Midis pasurive të shumta të vëna nën sekuestro është një apartament në rrugën “Mihal Grameno” në Tiranë, si dhe dy garazhe në të njëjtën ndërtesë, të blerë në vitin 2018.

Një pasuri tjetër e sekuestruar është një apartament 71 metër katror në Sarandë në Rrugën Butrinti. Gjithashtu, është sekuestruar edhe një pemëtore 608 m2, në zonën e Saukut në kryeqytet.

Policia e Tiranës sqaroi se ka organizuar operacionin policor të koduar “Relative”, duke theksuar se ka sekuestruar pasuri me vlerë rreth 2 milionë euro, që dyshohet se e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale.

Për zbatimin e këtij urdhri ngarkohen Agjencia Shtetërore e Kadastrës, dhe Oficerët e Policisë Gjyqësore të Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave, pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.

KUSH ËSHTË ADMIR MURATAJ
Admiri Murataj, i cili mbeti i vrarë më 9 prill të vitit 2019, pas grabitjes së miliona eurove në Rinas, të cilat po transportoheshin në drejtim të Vjenës, ishte një emër i njohur për krimet e tij jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Greqi.

Në shtetin helen, ai drejtonte një grup grabitësish të bankave, banesave dhe automjeteve. Murataj u arrestua në janar të vitit 2013, për t’u arratisur nga burgu dy muaj më vonë.

Pas këtij momenti, ai e shtriu aktivitetin kriminal në Shqipëri. Dy vite më vonë, më 13 shkurt 2015 rreth orës 12.30, Murataj bashkë me dy persona të tjerë grabiti nën kërcënimin e armëve një bankë të nivelit të dytë pranë bulevardit “Zogu i Parë”.

Më 3 dhjetor 2015, në segmentin rrugor Qafë Kashar-Rinas, grabiti me armë një furgon të blinduar, që transportonte një vlerë të konsiderueshme valute.

Më 9 shkurt 2017, rreth orës 12:00 dy automjete të blinduara u përballën me grabitësit në rrugën e Rinasit, ku u morën 3.2 milionë euro. Admir Murataj ka pasur mbi 10 identitete, por identiteti i tij i vërtetë është Admir Nikaj.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Emrat/ Operacioni për të ardhurat nga aktiviteti kriminal

Apartamente e makina, sekuestrohen 3 mln euro pasuri

Në pronësi të bashkëshortes së Admir Muratajt

Sekuestrohen 2 milionë euro pasuri të paluajtshme në Tiranë